Një ditë pas votimit në Kuvend, Edi Rama doli në konferencë në Kryeministri për të mbrojtur vendimin e shumicës socialiste për të rrëzuar kërkesën e SPAK për kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut.
“Kërkesa e SPAK nuk përmbushte as kushtet minimale. Nuk ka akuza për korrupsion parapriu çdo veprimi në ardhmen të Prokurorisë së Posaçme. Edhe nëse në Kuvend vjen ndonjë kërkesë me akuza për korrupsion, duhet të ketë prova, jo të mbetet apriori si akuzë”, tha Rama.
“E inkurajoj prokurorinë të nxjerrë çdo dosje….”, Rama.
Por a mund të shndërrohet votimi kundër SPAK për zonjën Balluku në një pengesë për integrimin e Shqipërisë?
“Leximi se u bllokua ëndrra europiane është një përçmim i realitetit”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Kryeministri nuk e fsheh që disa partnerë kryesorë europianë kanë pasur qëndrim tjetër nga ai.
“Kam debatuar me disa partnerë për këtë çështje, por unë përfaqësoj interesat e Shqipërisë”, tha Rama
Madje, Rama shkon më tej, duke i çuar një mesazh SPAK-ut se shumica socialiste do të vijojë të bëjë ndryshime si në Kodin e Procedurës Penale ashtu edhe në Kodin Penal.
“Nuk është puna e SPAK-ut t’i thotë Parlamentit se çfarë duhet të bëjë Parlamenti”, tha Rama.
Për ndërkombëtarët dhe SPAK, Rama foli në vetë të parë, ndërsa për socialistët që munguan pa arsye në momentin e votimit, zgjidhjen e problemit ia la Taulant Ballës.
Në seancë, përveç Ballukut, munguan edhe ministri Blendi Goxhe, i cili ndodhej në Francë, deputeti Fatmir Xhafaj jashtë vendit, ndërsa Elisa Spiropali pa një sqarim. Sipas burimeve të A2CNN, ndaj atyre që munguan do të merren masa disiplinore sipas nenit 25 të rregullores së grupit. (A2 Televizion)