Avokati i Popullit, Endri Shabani, deklaroi se shumica e çështjeve që qytetarët shqiptarë çojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg lidhen me vonesat gjyqësore dhe mungesën e një procesi të rregullt ligjor.
Në një intervistë për emisionin “Ditari i Pasdites” nga Pandi Gjata në A2CNN, Shabani tha se statistikat tregojnë se këto probleme mbeten ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, pavarësisht reformës në drejtësi. Sipas tij, kjo situatë është disi surprizuese, pasi reforma në drejtësi pritej të adresonte pikërisht problematikat e sistemit gjyqësor.
“Po të shohësh statistikat, numri më i lartë i çështjeve që vijnë në Strasburg është për vonesat gjyqësore, për një proces të rregullt ligjor. Kjo është pak surprizuese sepse Reforma në Drejtësi do të duhej t’u kishte dhënë drejtim problematikave të gjyqësorit, por ndërkohë nga numri i qytetarëve shqiptarë që ankohen në Strasburg, ankesa kryesore ka lidhje me mënyrën si vepron sistemi i drejtësisë në Shqipëri”, u shpreh ai.
Shabani theksoi se problemi i dytë më i madh lidhet me të drejtën e pronës, duke e cilësuar situatën si një “fatkeqësi”, pasi edhe pas 36 vitesh qytetarët ende nuk e gëzojnë plotësisht këtë të drejtë.
“Edhe 36 vite më vonë, qytetarët shqiptarë ende s’po e gëzojnë lirisht të drejtën e pronës, për shkak të koklavitjes sa ligjore të proceseve gjyqësore dhe mënyrës se si vepron administrata”, tha ai.
I pyetur për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut nga Shqipëria, Shabani u shpreh se vetëm rreth 25% e tyre janë zbatuar.
“Rreth 25 për qind. 75 për qind e vendimeve të GJEDNJ s’janë zbatuar brenda afateve të përcaktuara nga gjykata. Jo domosdoshmërisht është çështje fature. Një pjesë kanë kosto ekonomike, janë rreth 40 milionë euro për t’u paguar nga shteti shqiptar, por s’janë vetëm çështje që kanë të bëjnë me kompensim financiar, por me rivendosjen e një të drejte të shkelur. Këtu do duhet një koordinim më i mirë i institucioneve publike”, përfundoi Shabani.
(A2 Televizion)