
Kreu i PD-së Sali Berisha u shpreh sot në mbështetje të kërkesave të gjyqtarëve për rritjen e pagave, duke theksuar se kryeministri Edi Rama ka përmbysur piramidën e rrogave, raporton A2 CNN. Berisha theksoi se nuk mund të luhet me piramidën e rrogave dhe Rama është përgjegjësi kryesor për situatën.
"Shteti është i detyruar t’i qëndrojë hierarkisë. Dhe kjo hierarki përcakton rrogën më të lartë në republikën e Shqipërisë, presidenti i Republikës. Pastaj tjetri e tjetri me radhë. Kurse ky vetë ka votuar piramidën, vetë ka votuar në Kushtetutë ligjin. Ç’po kërkojnë Gjykata e Gjyqtarëve? Të zbatojnë ligjin. Prandaj dhe unë nuk do isha kurrë në mbështetje të tyre po të mos ishte kjo. Ky e ka përmbysur piramidën. Ky është përgjegjësi kryesor. Hajde zgjidhe tani. Nuk luhet me piramidën e rrogave. Urdhëro çfarë ndodh tani. Të na thotë pak si do ta zgjidhë?", u shpreh Berisha në konferencën e mbajtur sot për mediat.
"Ata kanë të drejtën e Zotit, kanë të drejtën e Kushtetutës, kanë të drejtën e ligjit në pretendimin e tyre. Ndaj dhe ato të zeza që i bëri vendit Edi Rama, ato duhet t’i paguajë një minutë e më parë, të largohet. Nuk do mbështesja unë kurrë, por unë mbështes të drejtën.E drejta është që piramida është përmbysur dhe është përmbysur vetëm e vetëm për të paguar një grup mercenarësh për qëllime politike", vijoi kryedemokrati.
Më herët sot kryeministri Edi Rama tha se gjyqtarët në Shqipëri kanë pagat më të larta në Ballkan, të barabarta me vende të BE-së si Greqia.
(A2 Televizion)