Luçiano Boçi, nënkryetar i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN deklaroi se kryeministri Edi Rama “është pika lidhëze mes gjithë skandaleve”.
“Është në krye të skandaleve, sepse pika e lidhjes e këtyre skandaleve në të gjitha rastet, të skandaleve që kanë ndodhur dhe atyre që janë shfaqur, është vetë kryeministri. Tek inceneratorët ishte ai që urdhëroi 16 firma brenda ditës. Në dosjen prej 18 000 faqesh, të jeni të bindur sipas asaj që unë parashikoj dhe sipas asaj që vetë ka thënë zonja Balluku, del më shumë Rama sesa del vetë Belinda. Ndërkohë, tek AKSHI patjetër që është Rama, sepse si e mori fuqinë një person pa kostum zyrtar në zyrën e të cilit të shkojnë dhe të falen si në një faltore ministra, të falen drejtorë policie, të jetë ai personi që përcakton se kush do jetë ministri i Brendshëm dhe këtë fuqi nuk e mori nga një fuqi hyjnore. Këtë fuqi ia ka dhënë kryeministri dhe këtë fuqi nuk ia ka dhënë në mënyrë bilaterale, personale, merre dhe ekzekutoje, por e ka shpërndarë si informacion tek të gjithë vartësit e tij sepse ishin ata që merrnin leje atje”, tha Boçi.
“Atje bëheshin të gjitha aferat që lidheshin me fondet e buxhetit të shtetit. Mos harrojmë një element tjetër të rëndësishëm. 90% e fondeve që shkojnë për investim në ekonominë shqiptare administrohen nga dy ente qeveritare, Ministria e Infrastrukturës dhe AKSHI. Këto kanë 90% të fondeve. A e kuptoni çfarë mega vjedhjeje skandaloze, çfarë papërgjegjshmërie shtetërore kemi në këtë rast me të cilën ndeshen në çdo hap qytetarët dhe tani po vuajnë dhe pasojën dhe shumë mirë tani kanë dhe reagimin dhe për këtë duhen falenderuar për reagimin e tyre”, shtoi nënkryetari demokrat. (A2 Televizion)