Kompromis PS-PD për Kodin, ndryshon formula e zgjedhjes së deputetëve. “OK” edhe diasporës

Nga Ervin Koçi
24 Korrik 2024, 23:13 | Politikë

Korriku ka qenë muaji i kompromiseve të mëdha politike ku edhe një herë, maxhoranca dhe opozita arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për të adresuar disa ndryshime të Kodit Zgjedhor. Komisioni i Ligjeve i dha dritën jeshile zbatimit të dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke miratuar votën e diasporës dhe çështjen e listave të hapura të kandidatëve për deputet, duke i ndarë në 1/3 të mbyllur dhe 2/3 me votim preferencial.

Politika arriti të gjente dakordësinë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Për katër orë, demokratë e socialistë arritën të bënin në Komisionin e Ligjeve atë që nuk e kishin bërë dot për katër vjet, miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. 

Komisioni i Ligjeve u thirr në një mbledhje në orët e pasdites për të shqyrtuar 8 propozime për amendime të Kodit Zgjedhor, duke shpalosur disa nisma që kishin vite të depozituar në protokollin e Kuvendit. Por, prapa kësaj iniciative të zjarrtë, duket se fshihej kompromisi i arritur jashtë sallës mes PD-së dhe PS-së.

“Farsë që ky komision të diskutojë 10 nisma dhe që në finale të miratohet ajo e dakordësuar ndërmjet PD e PS”, tha Fatmir Mediu.

Çështja që shkaktoi më shumë debate në sallë ishte mënyra e shpërndarjes së mandateve të deputetëve, parashikim ligjor i cili prek direkt interesin e tyre. Sipas draftit të dakordësuar, 1/3 e listës së kandidatëve për deputetë do të konsiderohet e mbyllur, pra më të avantazhuar përballë pjesës tjetër e cila do të jetë e hapur dhe renditja e tyre do të bëhet në bazë të votave preferenciale. Por, ndryshe nga propozimet e mëparshme të cilat kërkonin caktimin e një hersi për të kaluar nga pjesa humbëse në atë fituese, ky parashikim ligjor e heq edhe këtë mundësi. 

“Po ia falni zgjedhjet Edi Ramës”, tha Alibeaj.

Mëritë ndaj kësaj ndarjeje duket se prekën edhe socialistët, të cilët sa me tone të zbutura e sa me të ngritura e kundërshtuan me fjalë. 

Përballë këtyre akuzave, Damian Gjiknuri tregoi me gisht se kush e kishte propozuar këtë amendament: “Është propozim i PD, unë isha për herës 6500 vota, por nuk e deshën”.

“Do të ketë më shumë persona në parlament nga vota preferenciale se sa më parë”, theksoi nga ana e tij Oerd Bylykbashi.

Pavarësisht replikave dhe akuzave, në finale shumica vendosi dhe amendamentet e Kodit Zgjedhor u miratuan.

Krahas ndarjes së listës së kandidatëve për deputetë në të mbyllur dhe të hapur, Komisioni i Ligjeve i dha dritën jeshile dhe votës së diasporës, duke parashikuar votim me postë dhe këtë të drejtë do ta gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë një adresë banimi jashtë vendit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos