Komuniteti Politik Europian, Rama në Armeni: Një BE e paplotë është shumë e dobët

Nga Xhevahir Qardaku
4 Maj 2026, 15:18 | Politikë

Kryeministri shqiptar “eklipson” presidentin grek në Komunitetin Politik Europian në Armeni. Mikrofonë të mediave të shumta iu drejtuan Edi Ramës. Por një tjetër vëmendje e ka të domosdoshme Shqipëria në këtë moment, kur vendet anëtare të BE e kanë lënë pezull procesin e anëtarësimit në Union. Pikërisht këtu u kyç interesi i gazetarëve kur e pyetën se “çfarë mund t'ju ofrojë BE-ja vendeve që duan të anëtarësohen?”.

“Nuk ka të bëjë me ofrimin e diçkaje për dy apo më shumë vende, por ka të bëjë me të menduarit e të vepruarit shpejt, sepse ka të bëjë me vetë Europën, me vetë Bashkimin Europian. Një Bashkim Europian që nuk është i plotë, është më i dobët dhe është më i cenueshëm sesa një Bashkim Europian i cili është i plotë”, tha Rama, përcjell A2.

Rama foli dhe për atë që ishte kryetemë e këtij samiti: siguria e kontinentit të vjetër. Kryeministri nënvizoi se “NATO-ja duhet të mbështetet më shumë në pjesën europiane”. Në tryezë u mirëprit për herë të parë një i ftuar jo europian, Kanadaja, duke e bërë samitin e Armenisë, historik, përtej faktit se zgjodhën Jerevanin për të sfiduar ndikimin e Rusisë.

“Situata gjeopolitike në Europë, me luftën e vazhdueshme të agresionit rus kundër Ukrainës dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, tregojnë se kontinenti ynë ka nevojë për një vizion 360 gradë për sigurinë e tij. Multipolariteti në rritje i botës. Ky është një trend që kërkon një partneritet të shumëfishtë për të promovuar paqen dhe për të siguruar prosperitet të përbashkët”, tha President i Këshillit të BE, Antonio Costa.

“Kjo verë do të jetë një moment kur Putini do të vendosë se çfarë të bëjë më pas: të zgjerojë luftën apo të kalojë në diplomaci. Ne duhet ta shtyjmë atë drejt diplomacisë. Rusia ka njoftuar një paradë më 9 maj në Moskë pa pajisje ushtarake. Nëse kjo ndodh, do të jetë hera e parë në shumë vite që ata nuk mund të përballojnë pajisje ushtarake dhe kanë frikë se dronët mund të fluturojnë mbi Sheshin e Kuq. Kjo është domethënëse. Tregon se ata nuk janë të fortë tani”, tha President i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, foli për diversifikimin e rrugëve tregtare duke iu referuar luftës në Iran dhe bllokadës pasuese të Ngushticës së Hormuzit. Kurse, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula Von der Leyen, u tha gazetarëve se Europa do të ndjekë një politikë të pavarur sigurie dhe mbrojtjeje. Lidhur me politikën më të gjerë të mbrojtjes, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, nënvizoi se kombet europiane e kishin “marrë mesazhin” nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe tani po siguroheshin që marrëveshjet për përdorimin e bazave ushtarake nga amerikanët po zbatoheshin. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos