
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot mekanizmat praktikë për përgatitjen e bujqësisë shqiptare drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjatë aktivitetit “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi integrimin në BE si një mundësi të madhe për fermerët që janë të përgatitur për tregun evropian, por edhe si një sfidë shumë të vështirë për ata që nuk përmbushin standardet. Ai theksoi se bujqësia është një nga sektorët më të ndërlikuar në procesin e negociatave, për shkak të kushteve strikte që lidhen me cilësinë, sigurinë dhe kontrollin e produkteve.
“Kjo sfidë ka dy anë, ka anën e errët dhe anën e ndritur. Ana e errët është ajo që pret këdo që nuk është i përgatitur për atë ditë, sepse negociatat me BE-në nuk janë fjalë, por kontrata shtetërore komplekse”, u shpreh Rama, duke shtuar se “kontrata për bujqësinë është më e vështira, por edhe më e mirëpritura për ata që janë gati”.
Kryeministri vuri në dukje përmirësimet e ndjeshme të viteve të fundit, si rritja e mbështetjes shtetërore për fermerët dhe ulja e deficitit tregtar. Sipas tij, numri i fermerëve që përfitojnë mbështetje nga shteti është rritur nga 5 600 në 67 500, ndërsa eksportet bujqësore kanë kaluar shifrën e gjysmë miliardë eurove dhe produktet shqiptare sot shkojnë në rreth 80 vende të botës, shkruan A2 CNN.
“Për çdo euro të eksportuar dikur importonim 9 euro ushqim. Sot raporti ka rënë në 1 me 3 dhe synimi ynë është 1 me 2”, deklaroi Rama.
Një tjetër pikë kyçe e aktivitetit ishte prezantimi i platformës “EuroAgro Albania”, e cila sipas kryeministrit nuk është thjesht një faqe interneti, por një instrument pune për fermerët dhe prodhuesit. “Është udhërrëfyes për çdo hap të procesit, burim informacioni dhe kanal dialogu mes fermerëve dhe institucioneve”, theksoi ai.
Rama garantoi gjithashtu se financimi nuk do të jetë pengesë për projektet serioze bujqësore. “Për askënd nuk do të jetë çështje lekësh, por e projektit të duhur dhe e dijes për zbatimin e tij”, tha kryeministri.
(A2 Televizion)