Gjin Gjoni, deputet i Partisë Demokratike, në një lidhje direkte me studion e emisionit “Terminal” nga Aurora Sulçe, u shpreh se pakënaqësia popullore është shumë e madhe dhe theksoi se “po t'ia lësh në dorë qytetarëve, të jesh i sigurt që ata janë për veprime tepër agresive” në protestën e nesërme të opozitës.
“Pakënaqësia është shumë e madhe dhe po t'ia lësh në dorë të qytetarëve, të jesh i sigurt që ata janë për veprime tepër agresive dhe thonë jemi gati që të marrim çdo veprim të mundshëm vetëm të shporrim njëherë e përgjithmonë këtë qeveri. Por, Partia Demokratike është parti e cila vjen nëpërmjet votës në pushtet dhe ne nuk duam që nëpërmjet protestës sonë të ngjallim dhunë dhe akte të cilët nesër-pasnesër do ndikojnë negativisht edhe për Shqipërinë e cila është kandidate dhe ka hapur kapitujt për Bashkimin Europian”, tha deputeti democrat.
“Kështu që, duhet vendosur një ekuilibër dhe ky ekuilibër i brishtë midis veprimeve të njëpasnjëshme dhe mbajtjes në një lloj kufizimi të gjithë njerëzve të cilët vijnë për të protestuar dhe kanë një mllef të jashtëzakonshëm dhe dilema është mos na thirrni për të bërë protesta për shëtitje bulevard por a është e gatshme Partia Demokratike që të marrë përsipër për një aksion që mund të kalojë edhe protestën paqësore. Këtu ka pikëpyetjet e veta. Partia Demokratike nuk mbështet aktet e dhunës”, shtoi Gjoni.
(A2 Televizion)