Kos nuk e mbështet nismën Rama-Vuçiç: Ose je anëtar me të drejta të plota, ose jo

Nga A2 CNN
19 Prill 2026, 10:33 | Politikë

Kos nuk e mbështet nismën Rama-Vuçiç: Ose je anëtar

Komisionerja për Zgjerim në BE Marta Kos duket se nuk e përkrah nismën për anëtarësim në union pa të drejtë vetoje, e artikuluar së fundmi si iniciativë e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Në një bisedë me “Atlantic Council”, ajo theksoi se vendet duhet të jenë anëtare të plota të BE-së, raporton A2CNN. 

Nuk ka anëtarësim “light”. Ose je anëtar dhe atëherë i merr të gjitha të drejtat. Ose nuk je anëtar dhe nuk i merr të drejtat. Por sigurisht, e kuptoj këtë letër nga z.Vuçiç dhe z.Rama, në kuptimin që nëse BE-ja do të ketë probleme, e dini, për të vazhduar me procesin e zgjerimit, ata do të ishin të kënaqur me diçka më pak", tha Kos. 

"Kjo është zgjedhja e tyre. Unë nuk e mbështes këtë, sepse roli im është t’i ndihmoj ato vende të bëhen anëtare të plota të BE-së. Rregulli i thjeshtë është ky: nëse një vend përmbush të gjitha reformat dhe kriteret, duhet të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian. Kështu është ndërtuar edhe Traktati ynë Evropian”, u shpreh ajo.

Ndër të tjera Kos e konsideroi të mundshme që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian deri në vitin 2030, ose më herët. 

Të premten, më 27 shkurt, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, në emër të Shqipërisë dhe Serbisë, i kërkuan Brukselit një qasje realiste drejt BE-së, ku vendet e rajonit do të përfshiheshin në tregun e përbashkët rajonal dhe zonën Shengen.

Kësisoj, sipas tyre, nuk do të ngarkohej arkitektura vendimmarrëse e BE-së dhe as do të ndryshonte ekuilibri i saj institucional, pasi nuk do të kërkoheshin të drejta vetoje, komisionerë shtesë apo deputetë të Parlamentit Europian, si dhe as ndryshime në strukturat e votimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos