
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, me një postim në Facebook mbrëmjen e së shtunës, deklaroi se "nga shikimi i vëmendshëm konstatohet se mekanizmi i hedhjes së spray-t i bombolës në dorën e narkopolicit është mekanizmi tipik i bombulave të spray-t të verbuesit të ariut dhe është krejt tjetër nga mekanizmi i bombulës të shpërndarë për mashtrim nga policia".
Berisha shtoi se "përdorimi i verbuesit të ariut kundër njerëzve është një vepër me pasoja të rënda kriminale, e ndaluar nga konventat ndërkombëtare".
Postimi i plotë i Sali Berishës:
Narkopolicia konfirmon përdorimin e verbuesit të ariut kundër demonstruesve paqësorë.
Të dashur miq,
për të përgënjeshtruar deklaratat e PD për përdorimin e verbuesit të ariut nga narkopolicia dje kundër protestuesve, sot pasdite ajo ka shpërndarë foto të spray-t që përdoret nga policia kundër protestuesve.
Por cilido që shikon me vëmendje foton e bombulës së spray-t në dorën e policit, konstaton se ajo është krejt tjetër nga bombula që ka shpërndarë në media policia, gjoja të përdorur prej saj. Nga shikimi i vëmendshëm konstatohet se mekanizmi i hedhjes së spray-t i bombolës në dorën e narkopolicit është mekanizmi tipik i bombulave të spray-t të verbuesit të ariut dhe është krejt tjetër nga mekanizmi i bombulës të shpërndarë për mashtrim nga policia.
Dënoj me forcën më të madhe këtë mashtrim publik të ulët të narkopolicisë, e cila pasi ka kryer krimin kërkon të fshihet. Përdorimi i verbuesit të ariut kundër njerëzve është një vepër me pasoja të rënda kriminale, e ndaluar nga konventat ndërkombëtare. (A2 Televizion)