Ndoka: Opozita nuk është sot në gjendje që ta largojë Ramën

Nga A2 CNN
18 Prill 2026, 21:28 | Politikë

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaroi se opozita sot “nuk është në gjendje që ta largojë” kryeministrin Edi Rama.

“Këto protesta do ta kenë një fund. Kjo është e padiskutueshme, por derisa të vijë fundi do të ketë një ndërgjegjësim nga të gjithë aktorët. Së pari, ka një faktorizim të faktorit ndërkombëtar. Kjo është kryesorja. Ndërkombëtarët e kanë të qartë situatën, jo vetëm nga informacionet që marrin, por edhe nga këto protesta që shohin në shesh. Kemi disa vende të Bashkimit Europian që po e shohin si problematike qeverisjen shqiptare dhe mënyrë të veçantë kryeministrin Edi Rama. Gjermanët në mënyrë të veçantë tashmë kanë në duart e tyre dosjet e Ramës që kanë lidhje me trafikun, me grupet kriminale, me pastrimin e parave… Rama i di këto. Përpara Rama i menaxhonte, por Gjermania mbetet Gjermani dhe nuk mund ta gjejë Rama ilaçin për ta sfumuar një reagim të tillë”, tha fillimisht Ndoka në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.

“Është hera e parë që Rama “është i dënuar me vdekje”. Sot opozita nuk e ka atë forcë dhe atë mundësi. Unë flas atë që mendoj dhe që e gjykoj që është më e drejta dhe realiteti. Opozita sot nuk është në ato kushte, që ne ta kemi të mundur që ta bëjmë me funksionu drejtësinë se s'ka gjë në dorë përmes votave, qëndrimeve që ka, denoncimet që i ka kryer. Opozita nuk është sot në gjendje që ta largojë Ramën. Ka një tërheqje litari mes ndërkombëtarëve edhe Ramës. Shohim se kush kush do ta tërheqë”, shtoi Ndoka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos