Kryeministri Edi Rama deklaroi se rreziku më i madh për mazhorancën është humbja e përqendrimit në drejtimin e vendit, duke kërkuar më shumë fokus dhe debat të brendshëm brenda Partisë Socialiste.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama theksoi se energjitë duhet të përqendrohen në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimi Evropian deri në vitin 2030, si një moment historik për vendin.
"Në rrezik këtu është përqëndrimi ynë në udhëheqjen e vendit. Prandaj duhet të rrisim me çdo kusht përqëndrimin në punët tona të mëdha dhe të vogla, të shtojmë forcat për t'i bërë sa më mirë dhe për t'i komunikuar sa më shumë dhe të përpiqemi me edhe më shumë këmbëngulje të vetëkorrigjohemi dhe të përmirësohemi dhe këtu bujrum jepni idetë tuaja dhe ndërkohë le të debatojmë këtu së brendshmi hapur pa dorashka për sesi gjërat mund dhe duhen bërë më mirë në këtë drejtim. Por pasi debatojmë dhe ndajmë me njëri-tjetrin opinionet, duhet të përqendrohemi në një pikë, në vetëm një pikë, një pikë dhe asnjë pikë tjetër. Shqipërinë, Bashkimin Europian në vitin 2030”, u shpreh Rama.
Ai kritikoi edhe veprimtarinë e prokurorëve, duke folur për një “lëvizje sportive” në prag të mandatit të ri të SPAK. Sipas tij po priten fletë-arreste në mënyrë masive, edhe për çështje që sipas tij nuk përbëjnë vepra penale ose që në vende të tjera hetohen në gjendje të lirë.
“Ka filluar edhe një lëvizje sportive prokurorësh lart e poshtë nëpër Shqipëri të cilët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm dhe të afërt të SPAK-ut duke prerë fletë arreste në tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë fare çështje penale dhe në rastin më të keq kudo në botën që na rrethon hetohen në gjendje të lirë. Siç ishte rasti emblematik i Durrësit ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit. Ndërkohë që në dhjetëra e dhjetëra fletë të prera nuk kursye as dhe një punonjëse model e shtetit pesë vjet në luftë me kancerin dhe me një fëmijë dy muajsh në gji, apo duke shpërndarë fletë thirrje për paraqitjen në prokurori në sasira që i ngjajnë biletave të teatrit deri dhe për absurditete të skajshme”, theksoi Rama.
(A2 Televizion)