Rama mbron Mirlinda Karçanajn: Po sikur të jetë e pafajshme…

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2026, 12:04 | Politikë

Rama mbron Mirlinda Karçanajn: Po sikur të jetë e

Në fjalën e tij para deputetëve socialistë, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet në arrest shtëpie. Rama tha se institucionet shtetërore nuk duhet të kthehen në hapësira ku punonjësit e profesionistët që kanë kontribuar të ndëshkohen psikologjikisht përmes presionit publik.

"Për AKSH-in kam folur edhe më parë, edhe për drejtoreshën e saj që ndodhet në arrest shtëpie. Nuk dua të them asnjë fjalë për përmbajtjen e çështjes, por ky shtet nuk mund të jetë vendi ku një institucion krenar të bëhet shesh për të mbytur psikologjikisht inxhinierë dhe inxhiniere, që me në krye drejtoreshën kanë punuar pa orar për punë me një vlerë të jashtëzakonshme".

Ai nënvizoi parimin e prezumimit të pafajësisë, duke thënë se çdo person duhet të trajtohet si i tillë deri në provimin e fajësisë.

“Të dyja duhen bërë, edhe hetimi, edhe puna. Njerëzit kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm dhe të trajtohen si të pafajshëm deri kur të vërtetohet fajësia e tyre. Po sikur Linda Karçanaj të jetë krejt e pafajshme dhe jo një kriminele? Dhe si person që është masakruar me “bomba artizanale”, tenxhere më tenxhere, duke i vënë në kurriz vila dhe makina, ndërkohë që jeton në shtëpi me qira dhe, siç mora vesh, nuk ka makinë? Çfarë fiton më pas shteti dhe çfarë mesazhi marrin ata që duan të kontribuojnë për këtë shtet? Si ua garanton shteti të gjithëve lirinë dhe të drejtën e marrjes së vendimeve?”, u shpreh kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos