“Asnjë firmë nga PD për Shabanin”. Luan Baçi: Ja çfarë ndodhi!

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2025, 14:43 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, sqaroi debatet lidhur me zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat i Popullit dhe akuzat se Partia Demokratike kishte dhënë firmat apo votat për kandidaturën e tij. Baçi mohoi kategorikisht që ndonjë deputet i PD-së ta ketë votuar Shabanin, duke theksuar se mazhoranca është ajo që siguroi 84 votat e nevojshme.

Sipas tij, konfuzioni është qëllimshëm i ushqyer nga “propaganda e mazhorancës” për të krijuar idenë se ka pasur një marrëveshje të fshehtë. Baçi shpjegoi se firmat e deputetëve të PD-së nuk nënkuptojnë mbështetje për një kandidat të caktuar, por thjesht një mundësi procedurale për t’i lejuar çdo individi të afërt me opozitën të paraqitet në Komisionin e Ligjeve dhe të dorëzojë platformën e tij.

Ai theksoi se PD ka qenë gjithmonë e hapur ndaj kandidaturave nga shoqëria civile, duke kujtuar rastin e Florian Binajt në zgjedhjet vendore, ku të gjitha grupimet opozitare u bashkuan rreth një figure qytetare. E njëjta frymë hapjeje u ndoq edhe në procesin për Avokatin e Popullit, ku mbi 20 kandidatë – shumë prej tyre avokatë të panjohur më parë për publikun – morën firmën për të hyrë në garë.

“Është njësoj për arsye se edhe Endri Shabani edhe shumë avokatë të tjerë, kur ishte momenti që doli një kandidat për kryetar bashkie i Tiranës, zoti Florian Binaj, Partia Demokratike tha që do ta mbështet nga shoqëria civile. Doli Floriani. Të gjithë u bënë bashkë, edhe Endri Shabani, edhe shumë të tjerë. Gjithë partitë opozitare të vogla u bënë bashkë me Partinë Demokratike për një përfaqësues që vinte atje. Pra kjo ishte toleranca e Partisë Demokratike për të pasur një kandidaturë gjithëpërfshirëse. E njëjta gjë funksionoi edhe me këtë punën e Avokatit të Popullit duke u dhënë firmën 20-25 avokatëve që u paraqitën pa përjashtim, pa i parë fare se kujt janë dhe kush janë. Por, por këtu më lejoni vë një “por”... Këta e kanë firmën deri te komisioni që paraqesin platformën e tyre. Aty këta mbarojnë. Firma nuk ka më vlerë. Firma nuk është propozuese për vajtur në Parlament”, tha Baçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos