Klodian Braho në krye të SPAK, Luan Baçi: Nuk do të ndryshojë asgjë

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2025, 14:33 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në emisionin “Puls” nga gazetarja Bruna Çifligu në A2 CNN, komentoi zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, Klodian Braho, duke u shprehur se rotacioni në krye të institucionit nuk përbën asnjë ndryshim real në punën dhe funksionimin e tij. Sipas tij, për sa kohë ekipi i prokurorëve mbetet i pandryshuar, edhe drejtimi i ri nuk sjell risi apo ndryshim në qasje.

Baçi u shpreh se ndërrimi i drejtuesit të SPAK-ut është një proces standard, i parashikuar nga ligji, dhe se mandati trevjeçar i Altin Dumanit kishte përfunduar pa mundësi riemërimi. “SPAK mbetet i njëjti. Janë të njëjtët prokurorë, i njëjti ekip, të njëjtat dosje. Nuk ka si të ketë ndryshim vetëm nga rotacioni i drejtuesve”, deklaroi ai, duke nënvizuar se drejtuesi i prokurorisë ka rol administrativ dhe jo vendimmarrës në hetime.

Deputeti demokrat theksoi se nuk ka njohje personale me Klodian Brahon dhe se vlerësimi i tij për institucionin mbështetet vetëm tek puna e bërë ndër vite. Por, sipas Baçit, edhe ekzaminimi i dosjeve të mëparshme të trajtuara nga Braho nuk i jep arsye të besojë se do të ketë ndryshim në qasjen e SPAK.

Ai ndaloi veçanërisht tek dosja 184, një çështje që sipas tij është lënë në “errësirë të plotë”, ndërsa përbën një nga rastet më të qarta, siç e cilësoi, të ndërhyrjeve në zgjedhje dhe të manipulimit elektoral nga Partia Socialiste. Baçi argumentoi se hetimi i saj i munguar ka pasur pasoja të drejtpërdrejta në zgjedhjet e mëvonshme. “Nëse dosja 184 do të ishte hetuar siç duhet, do të kishim shumë më pak shkelje në 11 maj dhe ndoshta një tronditje serioze te mazhoranca”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos