Gjykata Kushtetuese shtyn për në janar shqyrtimin e kërkesës së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Seanca e shqyrtimit të ankimit të Berishës ndaj masës "arrest në shtëpi" ishte planifikuar për më 27 dhjetor, por seanca është zhvendosur për me 17 janar.
Shtyrjen e seancës Kushtetuesja e ka motivuar me ekzistencën e "arsyeve objektive". Seanca e 17 janarit është pa praninë e palëve, vetëm mbi bazë dokumentesh.
Sali Berisha fitoi lirinë më 27 nëntor, pas 11 muajsh izolimi brenda katër mureve të shtëpisë. Gjykata e Posaçme vendosi të lirojë liderin demokrat, duke shfuqizuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, masë e dhënë ndaj tij më 30 dhjetor 2023.
Vendimi që i dha të drejtë pretendimeve të Berishës për revokim të masës, u shpall nga gjyqtarja Flojera Davidhi në një seancë të zhvilluar mëngjesin e së mërkurës. Seanca nuk ishte njoftuar më herët nga gjykata, madje edhe në shënimin me dorë të bërë në listën ditore të seancave gjyqësore, nuk ishte emri i kërkuesit Sali Berisha, por i Prokurorisë së Posaçme.
Ish-kryeministri u përfaqësua në gjyq nga avokati Genci Gjokutaj. Ndërsa prokurorët e SPAK i kërkuan gjykatës të vazhdonte masën e sigurimit “arrest në shtëpi”. SPAK tha se pasi të njihet me vendimin e zbardhur do ta ankimojë në Apelin e Posaçëm. (A2 Televizion)