“Policia përdori dhunë”, Berisha: Mosbindja civile ka tmerruar narkoregjimin

Nga Anesti Barjamemaj
24 Dhjetor 2024, 15:10 | Politikë

Tre orët e mosbindjes civile në 5 nyje të Tiranës, Sali Berisha i cilësoi si një sukses për opozitën. Nga selia blu, lideri demokrat pohoi se revolta 180 minutëshe ka tmerruar Edi Ramën, ndaj sipas tij policia përdori dhunë ndaj protestuesve teksa mes të lënduarve ishte dhe deputeti Agron Gjekmarkaj. 

“Narkoshteti mbrëmë përdori narkopolicinë me uniformë për të goditur deputetin, nënkryetarin e parlamentit dhe nënkryetarin e PD, Agron Gjekmarkaj, duke e bërë atë për spital”, u shpreh Berisha.

Berisha vijoi më tej me akuza, ku tha se disa protestuesë janë tërhequr zvarrë. Një përgjigje pati edhe për kritikët që mendojnë se mosbindja civile është rrugë pa krye për opozitën, shkruan A2.

“Prej këtyre mosbindjeve civile që ne kemi zhvilluar periodikisht, ka tmerruar qeverinë dhe opozitarët e opozitës. Së shpejti do realizojmë qeverinë teknike si një sukses i radhës i opozitës shqiptare dhe si një dëshmi e radhës për papagajtë e qeverisë dhe opozitarët e opozitarëve, se ato që duken të pamundura për ta, PD i bën plotësisht të mundshme”, tha Berisha.

Berisha u shpreh me bindje se me vijimin e aksionit opozitar do të arrihet edhe fitorja në 11 maj dhe rotacioni politik.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos