Largimi i Ilir Prodës nga Policia e Shtetit, Artan Hoxha: Kryeministri e shkarkoi se u tregua liberal me opozitën

Nga A2 CNN
2 Mars 2026, 22:25 | Politikë

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se kryeministri Edi Rama e shkarkoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodën, sepse “është treguar liberal ndaj opozitës”.

“Opozita e akuzonte drejtorin e Policisë se po përdorte masa të rrepta kundër protestuesve, ndërkohë kryeministri e shkarkon për të kundërtën, që është treguar liberal ndaj opozitës. Madje, nuk ka marrë masat e duhura për të kufizuar veprimet e opozitës, të cilat çuan në atë që ndodhi të shtunën e kaluar nëpër Tiranë. U dogjën 3-4 kazanë plehrash dhe iu hodhën molotovët vilës të Enver Hoxhës”, tha gazetari.

“Drejtori i Përgjithshëm është emëruar nga kryeministri i vendit. Në një moment, e shkarkoi në kohë rekord, bashkë me drejtorin e Policisë së Tiranës. Nuk mbaj mend të ketë ndodhur herë tjetër që të shkarkohen dy drejtorët më të rëndësishëm të policisë në vend. I shkarkoi se hodhën molotov te Vila 31. Unë e di që Rama për kaq e ka bërë, harrojini këto teoritë e tjera se i hoqi prej protestave të opozitës”, shtoi Artan Hoxha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos