Protesta e opozitës në 12 mars, PD dorëzon raportin, Bardhi: T’i hiqet imuniteti Ballukut

Nga A2 CNN
2 Mars 2026, 19:22 | Politikë

“Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit”. Deputetët e Partisë Demokratike do të votojnë pro kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe lejimit për vendosjen ndaj saj të një mase sigurie “arrest në shtëpi” apo “arrest në burg”.

Pesë anëtarët e pakicës në Këshillin për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin kanë gati raportin që do t’ia dorëzojnë Kuvendit së bashku me argumentet se përse Belinda Balluku nuk duhet të ketë imunitet.

“Në përfundim të shqyrtimit nga Këshilli, përfundimisht, 5 anëtarët e Këshillit, përfaqësues të pakicës parlamentare, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës; si dhe nga analiza e fakteve dhe rrethanave të çështjes, rekomandojnë deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, theksoi kreu i grupit demokrat.

Sipas anëtarëve të opozitës, Kuvendi duhet ta miratojë kërkesën e SPAK pa diskutuar për provat, pasi nëse do ta bënin këtë gjë do të ndërhynin në kompetencat e pushtetit gjyqësor. Bardhi sqaroi se qëndrimi i tyre për votën pro kërkesës së SPAK është në një linjë edhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Provohet përmbushja e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për heqjen e imunitetin. Deputeti Belinda Balluku, përmes avokatëve të saj, nuk ngriti asnjë pretendim se ndodhemi përpara ndonjë prej kritereve që ka përcaktuar Komisioni i Venecias për mbajtjen e imunitetit dhe konkretisht: kur pretendimet janë qartazi dhe haptazi të pabazuara; kur shkelja e pretenduar është një pasojë e paparashikuar e një veprimi politik; kur pretendimet janë paraqitur qartësisht për motive politiko-partiake; kur procedurat ligjore mund të rrezikojnë seriozisht funksionet demokratike të parlamentit ose të drejtat themelore të një deputeti ose grup deputetësh”, deklaroi Bardhi.

Teksa vetë e deklaruan voton për heqjen e imunitetit të zonjës Balluku. Gazment Bardhit ia kërkon këtë edhe shumicës socialiste, pasi nëse ajo do të votojë kundër kërkesës së SPAK do të krijohet një precedent i rrezikshëm.

“Mbajtja apo ruajtja e një imuniteti të tillë në vetvete është një cenim i parimit kushtetues të barazisë para ligjit, i cili është thelbi i vetë Shteti të së Drejtës. Maksima “Sado lart që ti të jesh, ligji është gjithnjë mbi ty” përmbyset duke u shndërruar në “nëse je anëtar i Parlamentit, i Këshillit të Ministrave, nëse ke mbështetjen e Edi Ramës, ligji nuk mund të të prekë”. Ky do të ishte sinjali më i gabuar që Parlamenti kurrsesi nuk duhet ta emetojë ndaj qytetarëve të tij. Së dyti, vetë rregullat e imunitetit, në thelbin e tyre kanë potencialin e madh që të keqpërdoren nga deputetët, dhe të shndërrohen prej tyre në një strehë për t’u mbrojtur nga shkeljet e ligjit”, u shpreh Bardhi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD njoftoi edhe protestën e radhës së opiozitës, duke pohuar se ditën kur Kuvendi të diskutojë kërkesën e SPAK për Ballukun opozitarët do të jenë në sheshin para Kuvendit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos