Sfida kryesore e sotme e opozitës është bashkimi. Kështu u shpreh në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi, sipas të cilit ky bashkim u la përgjysmë pas zgjedhjeve të 11 majit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Sali Berishës për unitet, si brenda PD-së ashtu edhe me partitë e tjera opozitare.
“Ishte një bashkim që nuk përfundoi edhe në datën 11 maj. U kërkua, u stimulua. Zoti Berisha vazhdimisht dilte dhe bënte oferta Bashkimi dhe për partitë e vogla opozitare, por dhe vetë brenda Partisë Demokratike nuk u realizua dhe u la përgjysmë edhe pas zgjedhjeve të 11 majit. Dhe unë mendoj që kjo është sfida kryesore e opozitës dhe opozitat janë të ndërgjegjshme për rolin e tyre kur kuptojnë dhe prevalojnë mbi të gjitha meskinitetet qëllimin themelor dhe madhor që është rrëzimi i një regjimi”, tha Boçi në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Boçi thekson se regjimi nuk ikën më dorëheqje, por me aksion opozitar dhe bashkim të të gjitha forcave politike nga Shehaj te Lapaj, si edhe duke pasur në krah qytetarët.
“Një regjim nuk ikën me dorëheqje, nuk ikën sepse ka çështje juridike. Çdo gjë duhet të shndërrohet në aksion politik, aksion të përbashkët me të gjithë forcat opozitare. Qytetarët janë një hap para partive politike. e dëshmuan dhe kërkojnë qartazi që opozita të jetë e bashkuar. Qytetari është atje në shesh. Patjetër që në shumicën e tij është me Partinë Demokratike. Nuk mjafton. Duhen dhe qytetarë të tjerë dhe ata 100 që janë te Shehaj dhe ata 20, 30 që janë te Lapaj. Po dhe të tjerë që ndoshta sot janë skeptikë dhe na shohin nga distanca. Por këtë mesazh të bashkimit që e dhanë qytetarët ne duhet ta konkretizojmë. Zoti Berisha i është drejtuar sërish forcave opozitare që të bëhemi bashkë sepse tek e fundit i rëndësishëm në këtë pikë është qëllimi. Jo diferencat emocionale apo qofshin dhe të karakterit siç e interpretojnë disa të karakterit ideologjik. Sepse sot të rrëzosh një regjim nuk ke nevojë për ideologji. Sot ke nevojë për qëndresë dhe për pasur në krah qytetarët”, Boçi në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN. (A2 Televizion)