Pritjes i erdhi fundi. Ambasadori i ri amerikan Eric Wendt ka mbërritur në Shqipëri, ku pritet të nisë punën zyrtarisht.
Diplomati amerikan ka prekur tokën shqiptare këtë të premte, duke shkuar si fillim në ambasadën e SHBA.
E shtuna do ta gjejë ambasadorin e ri në zyrën e Presidentit Begaj në Pallatin e Brigadave, ku do të dorëzojë letrat kredenciale. Burime për A2CNN bëjnë me dije se përveç ceremonisë Presidenti do të ketë një takim kokë më kokë me të për të diskutuar çështje të rëndësishme.
Pas shkëmbimit të letrave kredenciale, Eric Wendt nisë zyrtarisht edhe misionin e tij në Shqipëri, ku pritet që në ditët në vijim të takojë edhe ministrin e Jashtëm dhe zyrtarë të tjerë.
Ndërkohë mësohet se në datën 2 Tetor ai do të bëjë edhe prezantimin para stafit të ambasadës dhe të ftuarve të tjerë.
Eric Wendt zëvendëson në detyrë Yuri Kim, e cila e ka mbyllur misionin e saj në Shqipëri në Qershor të vitit 2023. Ne mungesën e një ambasadori përfaqësuesja më e lartë amerikane në vendin tonë ishte e ngarkuara me punë Nancy van Horn. (A2 Televizion)