
Kreu i PD Sali Berisha nga foltorja e mbajtur para Kryeministrisë iu drejtua intelektualëve, duke u kërkuar të dalin nga guaska e konformizmit, duke theksuar se heshtja juaj po e ndihmon regjimin. Po ashtu kryedemokrati u bëri thirrje të rinjve të dalin në shesh, duke theksuar se vendi ka nevojë më shumë se kurrë për guximin dhe energjinë e tyre.
“U drejtohem me këtë rast dhjetëra mijëra mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ekonomistëve, juristëve të këtij vendi, konformizmi me këtë regjim është mëkati më i madh i jetës. Nënshtrimi ndaj këtij regjimi është një gabim i pafalshëm. Asnjë njeri nuk duhet dhe nuk mundet të konformohet dhe të pajtohet me këto që ndodh. Por para së gjithash dhe mbi të gjithë, ju banorët e shtëpisë së dijes, anëtarët e inteligjencës së këtij kombi, i keni shumë të mëdha përgjegjësitë ndaj tij. Ju nuk mund të konfirmoheni sepse asnjëri prej jush nuk thotë dot se nuk e kuptoj dot se çfarë po ndodh. Secili prej jush e ka të qartë se kreu i regjimit po përdor mazhorancën e krimit, po përdor mandatet e krimit si parzmore për të mbrojtur veten e tij nga vjedhjet që u ka bërë qytetarëve", tha Berisha.
"Asnjëri prej jush nuk mund të pajtohet sepse ju më mirë se të gjithë të tjerët, e keni të qartë se me këto akte, kreu i organizatës kriminale, Edi Rama po mbyll dyert e Europës për shqiptarët, po shkatërron ëndrrën më të bukur që nga Rilindja kombëtare gjer sot të kombit tonë, ëndrrën europianë”, vijoi kryedemokrati. (A2 Televizion)