Mesazhi i SHBA, Vanhorn takon Ballën dhe Bardhin: Bashkëpunoni në Kuvend

Nga Anesti Barjamemaj
25 Nëntor 2025, 17:03 | Politikë

E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ka takuar këtë të martë krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare, Taulant Ballën dhe Gazment Bardhin. Në një postim në mediat sociale, ambasada e SHBA bën me dije se diskutimet kanë qenë produktive, por kërkon prej tyre që të japin rezultate për qytetarët.

“VanHorn theksoi dialogun konstruktiv dhe lirinë e fjalës si shtylla të institucioneve të forta politike. Ambasada e SHBA-së pret me padurim të punojë së bashku me zyrtarë nga i gjithë spektri politik për t'i bërë vendet tona më të sigurta dhe më të begata”, njoftoi ambasada e SHBA.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një postimi në mediat sociale pohon se me diplomaten e SHBA ka diskutuar për punën e Kuvendit, në kuadër të reforma që e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

“Në qendër të bisedës ishte dialogu dhe agjenda legjislative e Kuvendit në kuadër të reformave shumëplanëshe, ku prioritete thelbësore spikasin përmbushja e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda këtij mandati si dhe detyrimet në fushën e sigurisë si një vend anëtar i NATO, aleat strategjik me SHBA. Vlerësojmë mbi gjithçka rolin udhëheqës të Presidentit Trump dhe përpjekjet e SHBA për paqe dhe siguri kudo në botë”, u shpreh Balla, raporton A2 CNN.

Lidhur me këtë takim ka reaguar edhe Gazment Bardhi, i cili në mediat sociale tregon se ka ndarë me diplomaten qëndrimin e PD për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Bardhi gjithashtu ankohet për qeverinë, duke e quajtur si të lidhur me krimin.

“Gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës. Kjo qeveri qëndron në pushtet përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit. E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del  nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Bardhi, përcjell A2 CNN.

Bardhi në reagimin e tij shton se  Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar i Shqipërisë, që kanë qenë në krah të vendit tonë në çdo hap të rëndësishëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos