Kushtetuesja me anëtar të ri, betohet Asim Vokshi, Gjykata funksionon me një karrige bosh

Nga Ervin Koçi
25 Nëntor 2025, 15:01 | Politikë

Që nga momenti i zgjedhjes, Asim Vokshit iu desh të priste gati dy muaj që të fillonte zyrtarisht detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i Republikës nuk e thirri në zyrë që ta mandatonte si pasues të Holta Zaçajt, pa përfunduar të gjitha ankimet e rivales së tij, Naureda Llagamit.

Ceremoniali i betimit në Presidencë ka dy domethënie juridike: e para, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, është zyrtarisht një ish-anëtare e trupës kushtetuese; e dyta, një gjyqtar i ri me mandat të plotë tashmë është pjesë e trupës më të lartë gjyqësore në vend.

Asim Vokshi dhe anëtarët e tjerë të gjykatës do të kenë shumë çështje për të shqyrtuar këtë fund viti, që nga paditë për të cilat kanë caktuar datën deri te çështja më e nxehtë e politikës së ditës, padia e kryeministrit kundër SPAK për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Të gjitha këto çështje gjykata do t’i shqyrtojë me një anëtar më pak, pasi aktualisht trupa kushtetuese është në kushtet e vendit të lënë bosh nga Elsa Toska, e dorëhequr prej gati një viti. Ndërkohë, edhe mandati i Sonila Bejtes ka përfunduar, por ajo vijon të qëndrojë në detyrë për shkak se procedura e zgjedhjes së gjyqtarit të ri është në zhvillim e sipër.

Nëse plotësimin me 9 anëtarë nuk e ka në dorë Kushtetuesja, tetë anëtarët do të duhet të zgjedhin kryetarin e ri, ndërsa provizorisht këtë funksion po e ushtron Marsida Xhaferllari, si gjyqtarja më e vjetër në detyrë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos