Sulmon Marta Kos dhe Gonzaton, Berisha: Përcjellin propagandën e Edi Ramës, BE nuk i mbështet

Nga Anesti Barjamemaj
25 Nëntor 2025, 15:12 | Politikë

Sali Berisha kritikoi ashpër deklaratat e Marta Kos dhe ambasadorit Gonzato, duke i cilësuar si propagandë të Edi Ramës dhe në kundërshtim me qëndrimet zyrtare të BE-së. Ai gjithashtu theksoi se nga vizita në Brazil u kthye si nënkryetar i forumit CDI, ku u miratua edhe një rezolutë që e përshkruan Shqipërinë si “narko-regjim”.

Këtë deklaratë të Marta Kos, Komisioneres për Zgjerimin, Sali Berisha e ka dëgjuar me vonesë për shkak të vizitës së tij në forumin e CDI në Brazil. Një përgjigje Kos e mori nga Bardhi, Bylykbashi e të tjerë demokratë, por Sali Berisha edhe pse disa ditë me vonesë, e konsideron deklaratë të frymëzuar nga propaganda e Edi Ramës. Sipas tij, zyrtarë të tjerë në Bruksel nuk janë dakord me përfaqësuesen e lartë që vizitoi Shqipërinë.

“Ka patur një reagim nga ana e zëdhënësit të Komisionit Europian, i cili shpreh qëndrimin korrekt të Komisionit Europian të papajtueshëm me qëndrimin e Marta Kos, një adhuruese pa kushte për arsye të saj, të Edi Ramës dhe bëmave, gjëmave të tij”.

Më i ashpër ishte në qëndrimin kundër ambasadorit Silvio Gonzato, të cilin e quan përçues të propagandës së Ramës dhe pohimet e diplomatit evropian i quan shpifje të turpshme.

“Të ngjashme, por jo identike me qëndrimet e zonjës Kos janë qëndrimet e ambasadorit Gonzato, i cili është një përçues i propagandës së paguar të Edi Ramës dhe i dezinformimit të papërmbajtur. Lidhur me këtë të fundit, unë u kam informuar ju se ky zotëri, për të përcjellë propagandën e Edi Ramës, u thotë deputetëve të Parlamentit Europian se kryetari i PD nuk është pro-perëndimor pasi agjenda e tij është MAGA dhe jo integrimi. Ky është një trillim, një mashtrim”.

Para gazetarëve lideri demokrat komentoi edhe vizitën e tij në Brazil, ku prej andej erdhi me një titull të ri, si prej zëvendës presidentëve te forumit të CDI.

“Ishte nder i madh për mua, që u propozova dhe u zgjodha zv/president i organizatës më të vjetër dhe më të madhe në botë të partive të qendrës së djathtë”.

Gjatë këtij forumi u miratua dhe një rezolutë e propozuar nga Partia Demokratike, ku Shqipëria konsiderohet si narko-regjim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos