Miratimi i rezolutës me konsensus, Berisha: U përfshinë kërkesat e PD, asnjë vlerësim për qeverinë

Nga Anesti Barjamemaj
15 Maj 2026, 14:35 | Politikë

Një ditë pas arritjes së konsensusit me socialistët, Sali Berisha sqaroi se përse bashkoi votat me kundërshtarin politik për rezolutën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në një konferencë për mediat, lideri demokrat pohoi se pjesa më e madhe e kërkesave të tyre ishin pranuar, ndaj edhe dhanë votat për miratimin e rezolutës në Kuvend.

“Në mënyrë absolute në atë rezolutë nga rreshti i parë tek i fundit, nuk shprehet asnjë vlerësim, edhe më i vogël qoftë për punën e parlamentit dhe të qeverisë në procesin e integrimit, siç mund ta konstatosh”, tha kreu i PD.

Sipas Berishës në dokumentin e dakordësuar, theksohet se Kuvendi duhet të ketë një rol më qendror për integrimin, ndërsa shton se pjesa më e madhe e kërkesave të opozitës janë pranuar në rezolutë.

 “Roli qendror i parlamentit është trajtuar në disa paragrafe ku është kërkuar të merret sepse nuk ekziston. Kërkesat ndaj qeverisë janë parashtruar sepse ajo nuk ka asgjë në atë fushë. Dhe në fund konkludohet që integrimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritë, ashtu siç ka kërkuar PD gjithnjë”, u shpreh Berisha.

Por para gazetarëve lideri demokrat doli për një tjetër çështje, për Diellën. Referuar një shkrimi në mediat ndërkombëtare, që nga një ekspert I huaj analizohet puna e Diellës, Berisha tha se të gjitha pohimet e Edi Ramës për të ministre virtuale janë mashtrime dhe kërkoi dorëheqjen e tij por edhe të Presidentit Begaj që e dekretoi.

 “Falë një eksperti më të shquar të fushës ndërkombëtar, Patrick Quirk, i cili i ka kushtuar ditë dhe javë të tëra zbërthimit një për një të Diellës, ai nxjerr se ministrja Diella nuk ka absolutisht as edhe një qelizë të vetme të urtësisë artificiale. Zero! Se është një avatar pa asnjë atribut për korrupsionin, pa asnjë ndërfaqe, etj, etj”, tha kryedemokrati.

Sipas Berisha, Diella është një bllof i Edi Ramës për të maskuar vjedhjet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos