Miratohet statuti i ri i PD, primaret filtrohen në seli

Nga A2 CNN
30 Maj 2026, 14:29 | Politikë

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike votoi sot ndryshimet në statutin e partisë. Në statut është shtuar një komision që do të seleksionojë kandidaturat për deputet ose kryetar bashkie, dhe do të bëjë një filtër të emrave të cilat më pas do të futen në primare. Pra, në primare nuk shkon kushdo, por kush kalon sitën e këtij komisioni. Ndërsa mbetet i pandryshuar “neni Basha” çka do të thotë se kryetari i partisë duhet të japë dorëheqjen në rast të humbjeje zgjedhore,

“Me vendim të kryesisë së partisë, një grup pune i përbërë nga 10 anëtarë mori në shqyrtim propozime të ndryshme të anëtarëve të partisë për ndryshime në statutin e partisë. Grupi i punës vlerësoi se statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë garanton funksionimin demokratik të Partisë Demokratike, respekton standardet e organizimit të partisë të njëjtë me partitë si motra europiane, si dhe udhëhiqet nga parimi i rëndësishëm se pushteti në Partinë Demokratike i përket anëtarëve të saj dhe jo strukturave përfaqësuese. Ky parim do të duhet ruajtur dhe zhvillohet më tej duke e bërë Partinë Demokratike të vetmen forcë politike në vend ku anëtari nuk është periferik, por ka një rol vendimtar në parti dhe ku vullneti i anëtarësisë përcakton shumëçka në Partinë Demokratike. Disa nga ndryshimet e propozuara në statutin e Partisë Demokratike përfshijnë fuqizimin e diasporës shqiptare dhe përfaqësimin real politik të saj. Partia Demokratike dhe Diaspora Shqiptare nëpër botë kanë patur gjithmonë një marrëdhënie dhe raport të veçantë dhe mbështetje të vazhdueshme të ndërsjelltë.

Mirëpo miratimi i ndryshimeve në kodin zgjedhor që i mundëson votimin edhe qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dikton një raport institucional mes Partisë Demokratike dhe shtetasve shqiptarë, bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit. Për këtë arsye është propozuar që diaspora të ketë përfaqësim të dedikuar deri në 15% në të gjitha organet drejtuese të partisë, përfshirë Kuvendin Kombëtar, Këshillin Kombëtar, Kryesinë e Partisë si dhe 15% në listat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Risia e dytë është fuqizimi i grave dhe vajzave në Partinë Demokratike. Për këtë arsye nga minimumi i përcaktuar me ligj, ku zonjat, gratë dhe vajzat do duhet të përfaqësoheshin deri në 30% në statutin e Partisë Demokratike, duke u bërë kështu forca e parë politike që rrit kuotën e përfaqësimit të grave, është përcaktuar që ky përfaqësim në të gjitha organet drejtuese të partisë dhe në listat e kandidatëve për deputetë të jetë 40%.

Gjithashtu me qëllim lidhjen e Partisë Demokratike me shoqërinë civile dhe botën akademike dhe hapjen e partisë dhe thithjen e elementëve të vlefshëm në komunitet dhe shoqëri është propozuar që selektimi i kandidatëve që votohen nga anëtarësia në primare t'i nënshtrohen një vlerësimi nga një komision seleksionimi i përbërë nga figura me kontribut të shquar në Partinë Demokratike përfaqësues të shoqërisë civile apo bota akademike, të cilat do të filtrojnë kandidatët që i nënshtrohen votimit.

Së katërti, është përmirësuar organizimi bazë i partisë dhe është forcuar kolegji i kryetarëve të grupsioneve duke i dhënë atyre të drejtën për të qenë anëtarë të kryesive të degëve të Partisë Demokratike. Është forcuar raporti mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë. Sot në statutin e PD-së ka vetëm një raport. Atë mes kryesive të degëve dhe të zgjedhurve qendrorë të Partisë Demokratike, deputetëve të saj parashikuar dhe përfshirë në statut që i njëjti raport, të njëjtat të drejta t'i njihen edhe të zgjedhurve vendorë, konkretisht këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, të cilët bëhen gjithashtu anëtarë eksoficiot kryesive të degëve.

Njohja e një statusi të barabartë për të gjitha organizatat partnere të partisë duke respektuar historinë e themelimit të Partisë Demokratike. Aktualisht në statutin e partisë parashikohen tre organizata partnere, por jo të treja organizatave i njihet i njëjti status dhe i njëjti përfaqësim. Për këtë qëllim është parashikuar që organizata partnere Grupimi Dhjetori ‘90 me një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e partisë të gëzojë status të njëjtë dhe të drejta përfaqësimi si organizatat e tjera partnere.

Është përmirësuar mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të partisë dhe përditësimi i listave të anëtarësisë si dhe është saktësuar rregullat mbi shkarkimin e kryetarëve të degëve duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë. Për të gjitha këto arsye ftoj Kuvendin Kombëtar të miratojmë ndryshimet e propozuara në statut". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos