“PD nuk blihet e nuk shitet kurrë”, Berisha-demokratëve: Në një gjë nuk kam gabuar kurrë...

Nga A2 CNN
30 Maj 2026, 13:15 | Politikë

“PD nuk blihet e nuk shitet kurrë”, Berisha-demokratëve:

Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar, kreu demokrat, Sali Berisha, u shpreh se besimi i tij ndaj demokratëve nuk është lëkundur kurrë dhe se Partia Demokratike mbetet e pamposhtur.

Ai kujtoi nisjen e procesit të rithemelimit të PD-së dhe sfidat me të cilat, sipas tij, është përballur partia gjatë viteve të fundit, duke theksuar se demokratët kanë kaluar një maratonë të jashtëzakonshme politike.

“Vetëm në një gjë nuk kam gabuar kurrë, në besimin ndaj jush”, u shpreh Berisha, duke shtuar se partia mbetet e bazuar te vlerat, idealet dhe morali politik.

Ai akuzoi kundërshtarët politikë për përpjekje për dobësimin e opozitës, por theksoi se këto tentativa kanë dështuar.

“Kjo parti nuk blihet, nuk shitet dhe nuk mposhtet kurrë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se demokratët janë “gardianë të pluralizmit dhe të vlerave të lirisë”.

Pjesë nga fjala e Sali Berishës

Të dashur delegate dhe delegatë, të ftuar, të pranishëm në këtë Kuvend, secili nga ne në këtë moment, në mënyrë eksklamative mund të shtrojë pyetjen: çfarë rrugëtimi, çfarë maratone e jashtëzakonshme e maratonomakëve si ju.

Më kujtohet sot kur hodhëm hapat e parë në këtë mision pesë vite më parë në Kuvendin Kombëtar të 21-shit, kur rithemeluam PD-në.

Unë e dija mirë se kishim një rrugë të vështirë, na prisnin beteja të egra.

Unë njihja mirë narkoshtetin që ishte instaluar në Shqipëri.

Por miq, në karrierën time politike dhe në jetë, kam bërë gabime, kam pasur një avantazh të madh, nga vitet e rinisë gjer sot gjithnjë kam ruajtur të paprekur bindjen se jashtë teorisë së gabimit kurrkush nuk del.

Ndaj dhe gjithnjë jam përpjekur t’i korrigjoj ato.

Por duhet t’u them sot, se në një gjë nuk kam gabuar, dhe ajo çka unë nuk kam gabuar kurrë, nuk kam gabuar në besimin ndaj jush.

Jo!

Nuk kam vendosur kurrë në jetën time në dyshimin më të vogël besimin tek ju, karakterin tuaj të fortë, idealet tuaja, vendosmërinë tuaj, përkushtimin tuaj.

Ndaj dhe nisëm së bashku një udhëtim të vështirë, në një moment kritik pasi për dekada kishim bërë shumë përpjekje për të forcuar pluralizmin, për të konsoliduar demokracinë.

Kishim edhe arritjet tona, të mëdha, të pamohueshme.

Por erdhi një moment kur Edi Rama vendosi si moral, si platformë të regjimit të tij moralin dhe platformën e etërve të tij xhelatë.

Ndërmori sulmin për asgjësimin e PD-së, për shndërrimin e saj në opozitë fasadë, për blerjen e saj.

Por gaboi.

Nuk është për treg kjo parti.

Kjo parti është për moral.

Kjo parti është për ideale.

Kjo parti është për vlera.

As nuk blihet, as nuk shitet.

As nuk mposhtet kurrë.

Ndaj dhe u ngritëm.

U ngritëm në një kohë kur dukej se edhe tokën, edhe qiellin e kishim kundër nesh.

Por u ngritëm në atë kohë se ishim të pathyeshëm në besimin tonë tek e vërteta.

U ngritëm, na e imponuan, jo se deshëm, por midis të gjithave, ne zgjodhëm të mbrojmë të vërtetën.

Ndaj dhe ju, uleni sot këtu krenarë, ju dhe çdo demokrat, krenarë sepse vini në këtë sallë dhe kudo që jeni, gardianë të pluralizmit politik në Shqipëri.

Gardianë të sovranitetit të kombit shqiptar.

Gardianë të pamposhtur të vlerave të lirisë, të dinjitetit njerëzor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos