Pedagogia Arsejda Gjyli deklaroi se deputetët e Partia Socialiste pritet të votojnë me linjë partie në lidhje për çështjen Balluku.
E ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, Gjyli u shpreh se ngërçi ka ardhur nga precedenti i krijuar për pezullimin e një zyrtari të lartë që ushtron funksione të rëndësishme qeveritare.
“Unë mendoj që këtu ngërçi ka ardhur nga vetë GJKK-ja, sepse për herë të parë ka ngritur një precedent, që është pezullimi i një individi që ushtron dy funksione shumë të larta brenda qeverisë. Është hera e parë që pezullohet në detyrë një zëvendëskryeministër dhe një ministër i rëndësishëm”, tha ajo.
Sipas pedagoges, debati nuk lidhet me hetimin e një zyrtari të lartë, por me pasojat që mund të krijojë precedenti i pezullimit për të ardhmen politike dhe institucionale.
“Pretendimi këtu nuk ka qenë çështje klasore. U ngrit çështja e pezullimit për një zyrtar të lartë dhe tani thuhet që duhet ta kundërshtojmë sepse po cenohet një zyrtar i lartë. Në këtë pikë ata nuk po kundërshtojnë faktin që po hetohet një zyrtar i lartë, por thonë që kjo ndërton precedent. Nëse ndërtohet ky precedent me një individ që është në krye të qeverisë, nesër mund të përdoret edhe për kryeministrin”, u shpreh Gjyli.
Ajo theksoi se votimi i deputetëve socialistë pritet të jetë i unifikuar.
“Unë mendoj që deputetët e Partisë Socialiste do të votojnë me linjë partie këtu, jo me bindjet e tyre”, deklaroi Gjyli. (A2 Televizion)