Eksperti i sigurisë Faik Basha, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, komentoi rezolutën e miratuar nga Parlamenti për shpalljen e Iranit si shtet terrorist.
Sipas tij, ky vendim lidhet ngushtë me marrëdhëniet strategjike që Shqipëria ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai shtoi se Shqipëria nuk ka kapacitet për të ndjekur politika të pavarura nga aleatët strategjikë.
“Raportet i kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmjet shteteve, pavarësisht se kush drejton atje. Ne besoj që, për shkak të asaj që kemi marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për më shumë se një shekull, ka qenë të paktën i vetmi shtet që na ka mbrojtur, na ka mbështetur dhe na ka bërë që sot të mos jemi ‘kurdët e Ballkanit’. Mos të jemi vend pa shtet dhe të mos qarkullojmë me trasta në krah nëpër Ballkan.”, tha ai
“Ne jemi mjaft të vegjël për të ndjekur politika si të Mbretërisë së Bashkuar. Jemi mjaft të pafuqishëm për t’i prishur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të thyer besimin ndaj tyre.”, tha Basha.
“Për një rezolutë që përputhet me interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk besoj se është ndonjë hata e madhe. Kemi bërë një gjë të mirë sot dhe jemi në detyrim të thellë ndaj SHBA-së.”, tha ai.
Basha theksoi gjithashtu rolin e SHBA-së në ekzistencën e Kosovës si shtet: “Kemi një shtet si Kosova që sot ekziston falë dëshirës dhe vullnetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, tha ai (A2 Televizion)