Ndryshimi i bashkive, ja cilat janë 4 skenarët e Partisë Socialiste

Nga A2 CNN
28 Mars 2026, 21:05 | Politikë

Drejtuesi i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, zbuloi sot katër skenarët e PS për Reformën Territoriale, raporton gazetarja e A2CNN Fiorela Beleshi. 

Te skenari i parë bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të mëdha, ndërsa në skenarin e dytë parashikohen bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve.

Në skenarin e tretë forcohet roli i qarkut me zgjedhje të drejtpërdrejtë, ndërsa në skenarin e katërt krijohen katër rajone strategjike. 

Një nga objektivat kryesore të kësaj reforme nga socialistët thuhet se është bërja e bashkive efikase, "kapacitet real për shërbime cilësore, të ardhura të qëndrueshme dhe investime afatgjata, jo njësi që nuk mbulojnë as kostot operative". Po ashtu me rëndësi është që bashkitë e reja të jenë funksionale në hapësirën e BE, të ruajnë identitetin vendor, duke siguruar shërbime për qytetarët  pavarësisht vendbanimit.

Katër skenarët:

Skenari 1: Konsolidimi Funksional: bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të forta, qarqet mbeten si nivel koordinues. Avantazhi: zbatim i shpejtë me kosto të ulët politike dhe pa ndryshim kushtetues. Rreziku: mungon niveli strategjik ndërbashkiak dhe përputhja me kërkesat e BE-së mbetet e kufizuar.

Skenari 2:  Konsolidim dhe Decentralizim: bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve si nivel ekzekutiv kryesor, ndërsa ish-bashkitë aktuale marrin statusin e qytetit me kryetar e këshill të zgjedhur drejtpërdrejt. Avantazhi: dy nivele me legjitimitet demokratik të dyfisht dhe efikasitet i lartë në shërbimet komplekse. Rreziku: konsolidimi kërkon ndryshim të madh kufijsh dhe transferim masiv të stafit, aseteve dhe sistemeve.

Skenari 3: Forcimi i Qarkut: ruhen të gjitha bashkitë dhe qarqet, por qarku transformohet nga nivel koordinues në nivel ekzekutiv real me zgjedhje të drejtpërdrejtë — funksionet ndahen sipas natyrës së tyre, jo sipas madhësisë së bashkisë. Avantazhi: nuk ndryshon asnjë kufi — shmang tensionin territorial dhe ka precedent të fortë europian. Rreziku: kapacitetet aktuale të qarqeve janë shumë të ulëta dhe ekziston rreziku që qarku të jetë më i dobët se bashkia që zëvendëson.

Skenari 4: Rajonet Strategjike: bashkitë shumë të vogla konsolidohen lehtësisht, qarqet thjeshtësohen, dhe shtohen katër rajonë strategjike për planifikimin afatgjatë, infrastrukturën e rëndësishme dhe fondet e BE-së. Avantazhi: përputhja më e lartë me kërkesat NUTS-2 të BE-së dhe kapacitet për projekte madhore. Rreziku: tre nivele qeverisjeje rrisin burokracinë, ndërsa rajonet e reja kanë legjitimitet të dobët demokratik për shkak të zgjedhjes së tërthortë.

Asnjë skenar nuk u prezantua si zgjedhja përfundimtare, ndërsa grupit iu shpjegua se procesi kalon nëpër konsultime publike, dëgjesa në territor dhe dokument politik para se të arrihet te paketa ligjore.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos