“Në arrest shtëpie nga SPAK”, dorëhiqet drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj

Nga Arestina Skënderi
13 Shkurt 2026, 14:53 | Politikë

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante, ndërkohë që ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Karçanaj është nën akuzë nga SPAK për abuzime me tenderat e agjencisë që drejtonte dhe dy muaj më parë, SPAK kërkoi për të masën e sigurisë “arrest shtëpie”, e cila u konfirmua më pas me vendim të GJKKO-së. Apeli i kësaj gjykate ka lënë në fuqi masën e arrestit shtëpiak dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit, ndërsa ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tendera publikë, kryer në bashkëpunim, si dhe për veprime penale të organizatës dhe grupit të strukturuar kriminal.

Që prej vendosjes së arrestit shtëpiak, Karçanaj funksionet ia kishte deleguar vartëses së saj, Romina Kostanit, drejtoreshë e Drejtorisë së Koordinimit të Agjendës Digjitale.

Karçanaj ka një rrugëtim të gjatë politik përkrah Edi Ramës që prej periudhës së tij në Bashki, teksa AKSHI-n e drejtonte që nga viti 2013, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste.

Mësohet se në krye të AKSHI-t është emëruar Igli Tafa, i cili drejtonte Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit u krijua me VKM nr. 248, më 27 prill 2007, si një institucion në varësi të Këshillit të Ministrave, për të udhëhequr politikën e zhvillimit të Shoqërisë së Informacionit në Shqipëri.

Në vitin 2022, Agjencia u përball me sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë. Në atë kohë, thuajse të gjitha shërbimet online ranë, ndërsa për zbulimin e sulmit u angazhuan ekspertë të FBI-së. Për rikthimin e sistemeve dhe mbrojtjen e të dhënave u përfshi edhe një grup nga Microsoft. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos