
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, u shpreh besimplotë se qeveria do e kalojë testin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Në këtë udhëkryq kemi një busull, që është Shqipëria në BE. Sot, në 26 shkurt ne jemi më afër anëtarësimit dhe këtë e them jo metaforikisht, se çfarë ishim më 26 janar, apo 26 shtatorin apo tetorin e vitit të shkuar. Kjo nuk është letërsi, ky është fakt, e tillë është shpejtësia me të cilën po ecim në atë proces. Në fund të janarit, pas një pune të jashtëzakonshme, kaluam në Kuvend një masiv të tretë ligjesh të lidhura me procesin në fjalë. Kemi arritur hyrjen në kapitullin e ri të procesit, që është vlerësimi dhe pastaj marrja e dritës jeshile për ato që quhen pikat e ndërmjetme, të cilat janë një test i një vështirësie shumë të lartë dhe kërkojnë përgatitje shumë të lartë. Për të tjerët para nesh janë dashur edhe vite për të kaluar testin e pikave të ndërmjetme, për planin tonë, ky test duhet kaluar në disa muaj. Dhe kjo do forcë, përqendrimin e të gjitha forcave në një drejtim”, tha Rama, shkruan A2.
“Besimplotë se do ta kalojmë këtë test, pavarësisht shkopinjve ndër rrota dhe tymit të bombave artizanale. Nuk e kam vetëm për ato që plasin rrugëve të dëshpërimit opozitar, por për të gjitha ato bomba artizanale që plasin çdo ditë, duke hedhur përpjetë kapakët e 700 tenxhereve mediatike”, shtoi kryeministri.
(A2 Televizion)