
Kreu i PD, Sali Berisha, ka folur për mediat pas takimit me ekspertët e Komisioni i Venecias, ku u ndal te reforma zgjedhore dhe rekomandimet ndërkombëtare për proceset elektorale në Shqipëri, raporton A2CNN.
Berisha deklaroi se nuk ka ende një draft të dakordësuar mes PS dhe PD për reformën zgjedhore, ndërsa vlerësoi raportin dhe rekomandimet e ODIHR. Ai theksoi gjithashtu se çështja e depolitizimit të administratës zgjedhore mbetet një temë që do të negociohet.
“Është e domosdoshme që të konsiderohet një trupë guardiane e ligjit elektoral dhe jo partiake që s’pyet për ligj elektoral”, theksoi kryedemokrati.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Të ndërhyj pak... ju thatë që takimi në mes çështjeve që u diskutuan ishte dhe çështja e financimit të partive politike. A është e vërtetë që Komisioni i Venecias ka shprehur mosdakordësi dhe ka kundërshtuar draftin e përbashkët të miratuar nga PS dhe PD në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore?
Sali Berisha: Unë nuk di të ketë asnjë draft të përbashkët të miratuar. Jo, jo, jo të miratuar. Si? Më falni.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Të propozuar. Draft i propozuar që e ka kundërshtuar edhe OSBE-ja.
Oerd Bylykbashi: Ka akoma, ka akoma opinione Komisioni i Venecias në lidhje me draftin. Ka një draft të OSBE/ODIHR-it, i cili është pjesë e punës që do bëjë komisioni për të çuar më tej ligjin e financimit të partive politike, por Komisioni i Venecias shprehet në datë 13 qershor.
Sali Berisha: Pra di që ODIHR ka sjellë rekomandime, do të thosha të shkëlqyera.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: I mbështesni ato rekomandime?
Sali Berisha: Plotësisht! Ka bërë një raport të shkëlqyer, të cilin pa diskutim që ne e përfillim dhe e marrim shumë parasysh. Natyrisht presim dhe rekomandimet e Komisionit Venecias. Nuk di asnjë lloj dakordësie gjer sot me, midis drejtuesve të komisionit të reformës, sepse nuk e kanë marrë materialin për shqyrtim. Presin të gjitha këto dhe pastaj do e shqyrtojnë. (A2 Televizion)