Nga vezët e protestuesve te torta me flamingo, Rama batuta para diasporës në Nju-Jork

Nga A2 CNN
26 Shtator 2026, 20:32 | Politikë

Nga vezët e protestuesve te torta me flamingo, Rama batuta para

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me diasporën shqiptare në Nju-Jork, foli për një ndryshim në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe diasporës, dhe solli në vëmendje episodin e vezëve, si një tregues të përfshirjes gjithnjë e më të madhe të shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimet politike në Shqipëri.

Rama tha se në të kaluarën diaspora ishte kryesisht një burim financiar për familjet shqiptare, ndërsa sot marrëdhënia, sipas tij, është shndërruar në një partneritet më të gjerë.

“Kjo marrëdhënie s’ka ndodhur vetëm aty ku na i rrok syri, por në mendësi, në atë që sot është një marrëdhënie shumë më gjithëpërfshirëse dhe organike. Pjesë e këtij organiciteti ishin edhe vezët që m’u hodhën mua para disa netësh, që treguan se jeta me zhvillimet në Shqipëri, është diçka që tanimë i ka integruar bashkë shqiptarët kudo që ndodhët”, tha Rama.

Kryeministri tregoi edhe se një prej personave që i hodhën vezë kishte udhëtuar nga Anglia drejt Nju-Jorkut.  Ai solli në vëmendje edhe faktin se një prej efektivëve të policisë që ishte angazhuar për sigurinë gjatë protestës ishte shqiptar. 

"Madje një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë. Mund të kishte ardhur edhe në Tiranë, por preferoi të vinte në New York dhe me këtë rast, shpresoj të ketë kaluar mirë edhe me Policinë e New Yorkut. Ndërkohë që, nga ana tjetër, ishte shumë e bukur që në trupën e mbrojtjes që u angazhua pastaj për çdo eventualitet, kryesori ishte një shqiptar që shërben në Policinë e New Yorkut. Kështu që, falë këtij integrimit të madh të shqiptarëve në jetën e këtij vendi dhe falë edhe interesimit të madh të shqiptarëve për jetën e atij vendi, unë u ndodha komplet në shtëpi. Edhe policia, edhe protestuesit, njësoj si në Shqipëri. Super!".

 “Për ta bërë më spektakolare këtë pamje integrimi u mirëprita këtu nga organizatorët me një tortë rozë, që kishte dy flamingo si një zemër”, shtoi ai. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos