Zgjedhjet e 11 majit, PD kërkesë Kuvendit: Zbato vendimin e Kushtetueses për Komisionin Hetimor!

Nga A2 CNN
26 Shtator 2026, 18:29 | Politikë

Zgjedhjet e 11 majit, PD kërkesë Kuvendit: Zbato vendimin e

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon kryetarit të Kuvendit, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e një Komisioni Hetimor lidhur me përdorimin e burimeve shtetërore dhe krimin e organizuar në zgjedhjet e 11 majit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një letër zyrtare kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar nisjen e procedurave për zbatimin e vendimit nr. 62/2026 të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas PD-së, vendimi, i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 157, më 22 korrik 2026, ka hyrë në fuqi po atë ditë. Grupi Parlamentar i PD-së argumenton se, në zbatim të nenit 87 të Rregullores së Kuvendit, çështja duhej të shqyrtohej brenda 30 ditëve nga Këshilli i Legjislacionit.

“Prej më shumë se dy muajsh, ju, në cilësinë e autoritetit përgjegjës për nisjen e procedurës parlamentare për zbatimin e këtij vendimi detyrues të Gjykatës Kushtetuese, jeni duke shkelur nenin 132 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në letrën e Grupit Parlamentar të PD-së.

Bardhi e akuzon kryetarin e Kuvendit për mosveprim dhe thotë se kjo situatë cenon, sipas opozitës, të drejtat e pakicës parlamentare dhe shtetin e së drejtës.

“Refuzimi apo vonesa në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është e papranueshme për opozitën”, thuhet më tej në letër.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos