Partia Demokratike po punon për një qasje ndryshe në protestën e radhës të thirrur nga opozita më 8 maj, deklaroi deputeti demokrat Xhelal Mziu.
Ky i fundit duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, theksoi se janë duke u shqyrtuar disa mundësi, mes të cilave edhe alternativa që të qëndrohet më gjatë në protestë, apo për të patur disa grupime.
Deputeti i PD tha ndër të tjera se reagimi i policisë në protestën e fundit i ka sensibilizuar protestuesit për një pjesëmarrje më të madhe.
“Po punohet për të patur një qasje ndryshe. Kemi disa mundësi, ndoshta edhe për të ndenjur më shumë se herët e tjera, për të pasur ndoshta disa grupime. Ajo që është më kryesorja, është që ka një sensibilizim për një pjesëmarrje maksimale. Qeveria ka filluar tani të marrë gaz lotsjellës që përdoret jo për njerëz. Nuk mjaftojnë edhe ato që përdoren për gjendje lufte, por edhe ata që përdoren për arinjtë, për derrat, i konsideron protestuesit shqiptarë si qenie jo njerëzore. Po përdor çdo instrument për t’i sulmuar, kështu që absolutisht kjo i ka sensibilzuar edhe më tej, sidomos protesta e fundit, reagimi i policisë. I ka sensibilzuar për të marrë pjesë maksimalisht dhe për t’i kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë policisë, që është një vegël e verbër e qeverisë”, u shpreh Mziu. (A2 Televizion)