
Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherësh kryeministri, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në Gjirokastër tha se në fund të dekadës mund të dyfishohen investimet e huaja në Shqipëri.
Rama, theksoi në fjalën e tij po ashtu, rritjen e të ardhurave për frymë, dhe rritjen e lartë të numrit të turistëve, raporton A2CNN.
“E kemi nisur këtë punë me 300-400 milionë euro investime të huaja në vit, dhe në vitin e shkuar shkuam në 1,6 miliardë, dhe me Zotin përpara dhe PS në krye brenda kësaj dekade mund ta çojmë këtë shifër në dyfishin e saj dhe këtë e them duke patur parasysh projektet që kemi në proces. E nisëm këtë punë me të ardhura për frymë rreth 3 mijë euro për person, kemi shkuar në 11 mijë euro, dhe duam të shkojmë në 15 mijë në fund të dekadës. Këto janë rezultate të shumë gjërave që janë bërë. Kur morëm detyrën numëroheshin 2 milionë turistë, ku për turistë numërohej edhe ai malukati, paraardhësi im, sa herë që kthehej nga vizitat jashtë shtetit. Sot s’kemi 2 milionë, kemi 12 milionë dhe i kemi të tërë me pasaportë të huaj, jo me pasaportë shqiptare”, tha Rama. (A2 Televizion)