
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ka replikuar në distancë me ish-deputetin Ervin Salianji.
Duke iu përgjigjur komenteve në lidhje me debatet e djeshme në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Noka përmes një statusi ironik në rrjetet sociale ka ‘thumbuar’ Salianjin.
Noka ka shkruar se Salianji e nisi lëvizjen me bukë si shpëtimtar i Partisë Demokratike, por sipas tij, pa u bërë ende tre javë, e katandisi këtë aksion te kërkesa për një karrige.
“E nisi me bujë si ‘shpëtimtar’ i #PD-së, por pa u bërë tre javë e katandisi te kërkesa për një karrige”, shkruan Noka në rrjetet sociale.
Kujtojmë se ditën e djeshme, në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, pati akuza të ndërsjellta mes Nokës e Salianjit, lidhur me zhvillimet në këtë forcë politike. (A2 Televizion)