“Nuk do ketë spastrime”, Flamur Noka: S’mund të themi që kemi 100 mijë anëtarë, duhet të përshtatemi me realitetin e ri

Nga A2 CNN
28 Janar 2026, 11:24 | Politikë

Në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, bëri të ditur se lista e anëtarësisë së PD do të pësojë ndryshime, por jo në formën e një “spastrimi”. Sipas tij, procesi synon rifreskimin dhe përshtatjen e strukturave të partisë me realitetin e ri demografik të vendit.

Noka theksoi se gjatë 13 viteve opozitë kanë ndodhur ndryshime të mëdha, përfshirë shpopullimin dhe lëvizjet masive të qytetarëve nga fshatrat drejt qyteteve, nga qytetet drejt Tiranës dhe jashtë Shqipërisë. Këto zhvillime, sipas tij, e detyrojnë PD-në të riorganizohet dhe të ndërtojë një databazë reale të anëtarësisë.

“Lista e anëtarësisë është paraqitur dhe është përcjellë një udhëzim degëve të PD-së në të gjithë vendin për të rifreskuar dhe riskeduluar anëtarësinë e Partisë Demokratike. Kjo është formula pse biem dakord që në këto 13 vite opozitë ka pasur shumë ndryshime. Ndryshime demografike, sigurisht, që ndikojnë edhe te forcat politike, dhe këtu besoj se jemi dakord të gjithë. Shumë qytetarë kanë lëvizur nga fshatrat drejt qyteteve kryesore, nga qytetet drejt kryeqytetit, por edhe jashtë shtetit. Shpopullimi, që është një nga plagët më të rënda sociale, e prek edhe Partinë Demokratike, kryesisht sepse duhet të biem dakord për këtë gjë: nga rreth 1.1 milion shqiptarë që kanë ikur, çfarë duhet të ndodhë?”, tha Noka

Procesi do të bazohet në verifikimin e çdo seksioni dhe do të identifikojë anëtarët aktivë, pra ata që kanë marrë pjesë në votimet dhe proceset e brendshme të partisë, përfshirë referendumet dhe zgjedhjet për drejtuesit e degëve. Anëtarët që kanë lëvizur brenda vendit do të riadresohen në zonat ku jetojnë aktualisht, ndërsa ata që ndodhen jashtë vendit do të përfshihen në strukturat e diasporës.

“Nuk flitet për spastrim apo pastrim. Do të ndodhë që në një fshat ku janë pesë apo dhjetë shtëpi, nuk mund të pranojmë që në listën e anëtarësisë të jenë 50 anëtarë. Pse? Sepse disa kanë ardhur në Tiranë, disa kanë ikur jashtë. Atëherë duhet verifikim. Do të verifikohet çdo seksion. Ne kemi seksionet tona, kundërshtari ka celulat e veta. Çdo seksion i yni do të verifikojë anëtarësinë. Anëtarësi do të thotë anëtar aktiv; votuesit janë tjetër gjë. Do të verifikohet kush ka marrë pjesë në votimin e 18 dhjetorit 2021, kur u shkarkua ish-kryetari Basha me referendum; kush ka marrë pjesë në referendumin e 30 prillit 2022, kur u zgjodh kryetar i partisë Sali Berisha; kush ka marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarët e degëve. Kjo është formula, si për primaret për deputetët, ashtu edhe për të gjithë procesin. Pra, anëtarë janë ata votues që kanë marrë pjesë në këto procese. Ata do të çohen për verifikim në listat e anëtarësisë. Më pas do të kontrollohet kush ka qenë aktiv në fushata dhe kush është i lëvizur. Pra, lista e anëtarësisë do të rishikohet dhe riverifikohet në tërësi, për të ndërtuar një databazë të saktë të gjendjes reale sot. Shpopullimi dhe lëvizjet demografike e detyrojnë këtë proces. Nuk mund të pretendojmë se kemi qindra mijëra anëtarë, kur në realitet një pjesë e madhe nuk janë më këtu”, shtoi Noka.

Sipas Nokës, qëllimi nuk është fryrja e shifrave, por ndërtimi i një partie funksionale, të organizuar dhe në përputhje me realitetin e sotëm shoqëror dhe politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos