Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka hedhur akuza të forta në drejtim të qeverisë, duke deklaruar se tre ministra të Brendshëm janë “shkarkuar nga krimi i organizuar” dhe jo nga kryeministri apo institucionet.
I ftuar në emisionin Off the Record, Noka tha se Taulant Balla, Bledi Çuçi dhe Ervin Hoxha janë larguar nga posti për shkak të presionit të drejtpërdrejtë të grupeve kriminale, të cilat, sipas tij, kontrollojnë Policinë e Shtetit. Ai përmendi me emra drejtorin e Policisë, Ilir Proda, dhe një figurë të cilën e cilësoi si “koordinator të krimit”, duke i akuzuar se kanë diktuar largimin e ministrave.
“Tre ministra të Brendshëm janë shkarkuar nga narkodrejtori Ilir Proda dhe nga krimi i organizuar. Njëri prej tyre ka shkuar dhe është ankuar në ambasadën e Shteteve të Bashkuara. Këtë e kam të dokumentuar”, tha Noka.
Noka akuzoi gjithashtu mazhorancën se ka bllokuar sistematikisht interpelancat, komisionet hetimore dhe seancat dëgjimore të kërkuara nga opozita, duke injoruar edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, Parlamenti është “marrë peng” dhe Kushtetuta nuk zbatohet.
Ai u ndal edhe te ministrja aktuale e Brendshme, duke deklaruar se kryeministri ia ka hequr publikisht çdo kompetencë mbi Policinë e Shtetit. “Në këtë situatë, çfarë raporti mund të bëjë një ministër?”, u shpreh Noka. (A2 Televizion)