Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Ballukun, socialistët nuk paraqiten

Nga A2 CNN
6 Janar 2026, 12:59 | Politikë

Opozita ka kërkuar për të katërtën herë radhazi mbledhjen e Këshillit për Imunitetin dhe Mandatet, me qëllim vijimin e shqyrtimit të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. Edhe kjo përpjekje ka dështuar, pasi pesë anëtarët e Partisë Socialiste në këtë këshill nuk janë paraqitur në mbledhje, duke e bllokuar procesin.

Socialistët, në një linjë me qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, kanë deklaruar se Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet pa u shprehur fillimisht Gjykata Kushtetuese për çështjen “Balluku”, vendim që pritet më 22 janar. Ndërkohë, në përgjigjen zyrtare ndaj kërkesës së fundit të opozitës, kryetari i Kuvendit ka argumentuar se mbledhja nuk mund të zhvillohet, pasi Belinda Balluku ka kërkuar tri javë kohë për t’u njohur me provat e depozituara nga SPAK.

“Ky është një akt i paprecedent që nuk ka ndodhur kurrë në Kuvendin e Shqipërisë, ku Këshilli i mandateve të ketë marrë më shumë se tri javë kohë për të shqyrtuar një kërkesë të ngutshme të prokurorisë. Qoftë përpara kryerjes së reformës në drejtësi, qoftë pas reformës në drejtësi. Kjo edhe për faktin sepse neni 118 i rregullores së Kuvendit që rregullon mënyrën se si funksionon Kuvendi i Shqipërisë në rastin e kërkesave të prokurorisë për të autorizuar arrestimin e një deputeti, e trajton procedurën si një procedurë të ngutshme, si një procedurë urgjente”, tha Bardhi.

Ai akuzoi mazhorancën se po fshihet pas ligjit për t’i shmangur drejtësisë një zyrtare të lartë, duke e cilësuar kërkesën për shtyrje si një “alibi” dhe jo si nevojë reale për përgatitjen e mbrojtjes. Bardhi kërkoi shpjegime publike nga kryetari i Kuvendit për mosmbledhjen e Këshillit dhe paralajmëroi depozitimin e një kallëzimi penal për “shpërdorim detyre” ndaj tij dhe ndaj Niko Peleshit.

“Kryetari i Kuvendit duhet të shpjegojë pse nuk thërret mbledhjen e Këshillit për mandatet për të vijuar shqyrtimin e një kërkese të ngutshme të prokurorisë dhe për të autorizuar dhënien e lejes prokurorisë për të arrestuar apo të marrë çdo masë tjetër që do ta çmojë të nevojshme ndaj të pandehurës Belinda Balluku”, shtoi Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos