Berisha: Ramaduro i Venezuelës doli sot para gjyqit! Rrëzimi i diktatorëve është respekti më i madh për ligjin ndërkombëtar

Nga A2 CNN
5 Janar 2026, 19:30 | Politikë

Berisha: Ramaduro i Venezuelës doli sot para gjyqit! Rrëzimi i

Ditën e sotme, Partia Demokratike ka mbajtur ‘Foltoren’ e radhës para Kryeministrisë, ku të pranishëm kanë qenë disa dhjetëra qytetarë.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e ka krahasuar me ish-udhëheqësin e Venezuelës, Nicolas Maduro.

Berisha tha gjithashtu se rrëzimi i diktatorëve është respekti më i madh për ligjin ndërkombëtar, duke komplimentuar aksionin e Presidentit Trump në Venezuelë, shkruan A2 CNN.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Miq, viti 2026 ngjason shumë në histori me vitin e rrëzimit të diktaturave komuniste njëra pas tjetrës.

Sot diktaturat më të përhapura janë narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale.

Lavdi Zotit, ushtria amerikane, qeveria e SHBA, në një operacion më të përsosurin në histori, arrestuan dhe nxorën sot para gjyqit Ramaduron e Venezuelës, apo Maduron e Venezuelës.

Mediat e majta, të kontrolluara nga qeveria në Sghqipëri, nga mëngjesi gjer në darkë u bien borive se u shkel sovraniteti, se kjo shkeli ligjin ndërkombëtar.

Miq, dhunuesit më të mëdhenj të sovranitetit të kombeve, dhunuesit më të mëdhenj të ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar janë diktatorët dhe diktaturat.

Rrëzimi i tyre është respekti më i madh për ligjin ndërkombëtar, ligjin kombëtar, për qytetarët e vendeve të shtypura.

Nuk ka sovranitet vendi në të cilin zgjedhjet zëvendësohen me farsë elektorale.

Narko-diktatori apo diktatori që shndërron zgjedhjet në farsë shkelmon dhe asgjëson sovranitetin e kombit të tij.

Ai nuk meriton një ditë të qëndrojë në pushtet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos