Pa shpjegime për Kadastrën e Vlorës, Rama: Nuk është e fundit, drejtori të tjera vendore drejt qendrës

Nga Arestina Skënderi
1 Shkurt 2026, 13:06 | Politikë

Kryeministri Edi Rama, në podcastin e tij të fundjavës, nuk dha asnjë arsye për zhvendosjen fizike të Kadastrës së Vlorës në Tiranë, por paralajmëroi se edhe drejtori të tjera vendore do të kalojnë drejt qendrës, ndërsa foli për dëmshpërblimet pas zjarreve, buxhetin e Mbrojtjes 2026 dhe vizitën e tij në Izrael.

Kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë asnjë arsye për zhvendosjen fizike të Kadastrës së Vlorës në Tiranë, por në podcastin e tij të fundjavës, shefi i Ekzekutivit paralajmëroi se drejtori të tjera vendore do të kalojnë drejt qendrës.

“Kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur dhe duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendndodhjen e zyrës. Ky, nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se janë shpallur të gjitha dëmshpërblimet për të prekurit nga zjarret e verës së vitit 2025, në 15 bashki të vendit.

“Që nga Malësia e Madhe, në Krujë, Rrogozhinë, Peqin, Tepelenë, Delvinë, Has, Kukës, Dibër, Kamëz, Librazhd, Gramsh, Maliq, Finiq dhe Dropull. Të gjitha këto territore të prekura nga zjarret kanë tanimë në dispozicion masën e përcaktuar të dëmshpërblimeve sipas dëmeve”, vijoi kreu i qeverisë.

Shefi i Ekzekutivit foli edhe për buxhetin e Mbrojtjes 2026 për Shqipërinë, duke ecilësuar atë më të lartin dhe më seriozin në histori për vendin tonë.

“I cili e ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve për mbrojtjen, duke shkuar mbi 2% të prodhimit të brendshëm bruto, pra mbi atë pragun standard të NATO-s, që është edhe pragu standard për të gjitha vendet anëtare”, vijoi ai.

Rama nuk harroi të përmendë edhe vizitën e tij në Izrael, të cilën e cilësoi një krenari kombëtare, duke shtuar se Shqipëria u vendos në piedestal dhe se në vijim mes dy vendeve do të ketë edhe më shumë bashkëpunime, ku një ndër to dhe konkrete ishte edhe themelimi i Dhomës së Tregtisë izraelite shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos