Kryedemokrati Sali Berisha foli për një kryengritje paqësore të qytetarëve që mbrojnë interesat jetike më vetjake, duke iu referuar protestës së thirrur pasditen e sotme nga opozita para Kryeministrisë.
Përmes një konference për mediat të mbajtur mesditën e sotme, Berisha u shpreh: "Sot, në ora 19:00, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ngrihen në kryengritjen e tyre paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ngrihen mbi dhunën, terrorin e regjimit, e klaneve të drogës, e policisë politike të patronazhistëve, kërcënimeve të tyre. Ngrihen për të mbrojtur interesat më jetike të vetat, të qytetarëve shqiptarë. Ngrihen për të mbrojtur dinjitetin, nderin e çdo shqiptari ndaj një agresioni të rëndë të një organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama".
"Qëndrimi cinik i tij nga ndëshkimi i qytetarëve nga çmimi i naftës, rëndon akoma më shumë pozicionin e tij. Në një kohë kur të gjitha qeveritë e Europës, shtuan, rritën apo dyfishuan subvencionin për naftën për fermerët e vendeve të tyre, Edi Rama në një akt të papërgjegjshmërisë absolute, e hoqi edhe atë pak subvencionim që jepte, duke garantuar në këtë mënyrë mbetjen djerrë të dhjetëra mijëra hektarëve tokë në Shqipëri dhe njëheraz falimentimin e dhjetëra mijëra fermave në këtë vend", shtoi Berisha.
Opozita do të vijojë sot në orën 19:00 serinë e protestave para Kryeministrisë, ku fokusi do jetë kundër korrupsionit dhe rritjes së çmimeve, që sipas opozitës kanë rënduar jetën e qytetarëve. (A2 Televizion)