Skena kaotike mëngjesin e të enjtes në Parlamentin e Shqipërisë, pasi deputetët e opozitës u përplasën me gardistët në përpjekje për të bllokuar seancën. Fillimisht ata bllokuan disa prej ulëseve të ministrave, për të mos lejuar ceremoninë e betimit të Avokatit të ri të Popullit, Endrit Shabani, por ai gjithsesi u betua mes flakadanëve, duke u larguar nga salla pasi i dhuroi edhe një puthje deputetëve opozitarë.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi Klevis Balliun dhe Flamur Nokën nga seanca, por sërish nuk u arrit të vihej qetësia. Në këto kushte, socialistët vijuan me votimin e projektligjeve që ishin në rend të ditës, teksa demokratët bënin thirrje kundër qeverisë.
“Ne duam zbatimin e ligjit. Kushtetuta dhe ligji janë feja jonë politike. Sillni këtu Lubi Ballukun. Mos u bëni avoketër të terroristit. Ergys Agasi është terrorist, ka marrë dy qytetarë peng për llogari të Edi Ramës dhe familjes së tij. Po luftojmë për ligjin këtu, po luftojmë për Kushtetutën. Ndaj dhe silleni Lubinë këtu që të dëshmoni se jeni të vendosur t’i nënshtroheni ligjit. Por jo vidh e ik. Kjo nuk mund të ndodhë më. Sillni terroristin Gys Agasi. Doni parlament, sillni të dy para ligjit. Po luftojmë për ligjin këtu.
Ne po luftojmë për ligjin këtu. Nuk ka parlament. Nuk ka vidh e ik këtu. Ne jemi të vendosur të mbrojmë ligjin dhe Kushtetutën. Sillini këtu para ligjit dhe parlamentit, t’i shohin qytetarët. Këshilltari i Palloshit të gjatë ka marrë dy persona peng. Shkoni dhe lexoni dosjen”, tha Berisha. (A2 Televizion)