Rama niset të takojë Thaçin: Drejtësia ndërkombëtare ka lënë kokrrën e namit

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 10:04 | Politikë

Rama niset të takojë Thaçin: Drejtësia

Kryeministri Edi Rama njoftoi se do të takojë sot në Hagë Hashim Thaçin, i cili mbahet në qelitë e paraburgimit teksa gjykohet nga Gjykata Speciale. “U mor nga zyra e tij dhe ë mbahet peng tanimë vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare për turpin e madh të të gjithë atyre që e sponsorizojnë atë lloj drejtësie ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor janë në fakt e vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë, ku ende pa u dënuar një president i zgjedhur demokratikisht nga populli së bashku me tre bashkëluftëtarë që kanë mbuluar detyra nga më të rëndësishmet në Republikën e Kosovës, mbahen mbyllur, mbahen të izoluar”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

“Tani që ka mbaruar ekspozeja e pseudo provave të akuzës dhe që ka mbaruar edhe parada e dëshmitarëve qesharakë të sjellë në sallën e drejtësisë ndërkombëtare nga akuza si dhe kanë mbaruar edhe dëshmitë tejet serioze të ë dëshmitarëve të mbrojtjes, pritet vendimi. Uroj, shpresoj, lutem që ë viti i ardhshëm të jetë viti i mbylljes së perdes së këtij teatri absurd të drejtësisë ndërkombëtare dhe i daljes nga izolimi brutal i Hashim Thaçit dhe i tre bashkëluftëtarëve të tij. Uroj dhe shpresoj që vendet demokratike që sponsorizojnë këtë gjykatë të reflektojnë mbi standardet e ulëta, mbi nivelin ë shumë nën shumë nën vijat e kuqe të një drejtësie demokratike të gjithë kësaj që prej vitesh po ndodh me njerëzit të cilët të vetmin faj kanë se u rebeluan ndaj një regjimi satrap”, shtoi Rama.

“Të vetmin faj morën armët për të mbrojtur lirinë, për të mbrojtur dinjitetin e tyre njerëzor, për të mbrojtur të drejtën e tyre të pamohueshme, për  jetuar si njerëz të barabartë të kësaj toke nën të njëjtin diell dhe jo si një grup social i përdhunuar për shkak të etnisë së vet në një diktaturë. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk e tund dot askush. E lër më pastaj një çekiç absurd i një drejtësie ndërkombëtare që në këtë rast ka lënë kokrrën e namit kur i themi ne shqiptarçe. Unë dua shumë të besoj se në fund e drejta do të fitojë dhe këtu nuk ka dy apo tre të drejta. Këtu ka vetëm një të drejtë. Që është e drejta e bekuar përjetësisht me gjakun e heronjve e martirëve me dhimbjet e patregueshme të nënave, të motrave, të grave, të vajzave të përdhunuara e të sakatuara gjatë një periudhe dhe nga më të zymtat për vetë Europën, në zemër të Europës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos