“Takimin e organizoi me Suel Çelën”. Salianji i përgjigjet Berishës: Akuzat imagjinare, mjerim politik

Nga Anesti Barjamemaj
17 Dhjetor 2025, 23:54 | Politikë

Ervin Salianji nuk preferoi që të përballej me Sali Berishën në Këshillin Kombëtar, me arysetimin se nuk donte të shfokusonte qëllimin e mbledhjes.

Përgjigjen që nuk ia dha në sy kreut të partisë, zgjodhi t’ia jepte nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Në Elbasan ishte e gjithë struktura vitale e Partisë Demokratike. Akuzat imagjinare, siç ndodh rëndom me armiqtë imagjinarë të qëmotit, se unë paskam takuar ata që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë një dëshmi e mjerimit politik. Veçanërisht kur dihet se shumëkush tjetër e ka pasur në krah dhe e ka përdorur për interesa të veta”, shkruan Salianji në Facebook.

Faturën e përfshirjes së botës së krimit në parti ia faturon Sali Berishës, duke i përmendur zgjedhjen e Arjan Ndojës deputet: “Sa më përket mua, unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit! Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës!”

Këto akuza publike Salianji i bëri gjatë kohës që Sali Berisha ishte në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, por kreu i Partisë Demokratike zgjodhi që të mos i komentonte para anëtarëve të këtij forumi. Në përfundim të mbledhjes, para mediave Berisha tha se u qëndron deklaratave të tij: “Gjithçka kam patur unë për këtë çështje, e kam shprehur si kryetar i Partisë Demokratike dhe atë ju garantoj që nuk e lëviz dot aspak”.

I pyetur nëse do ndërmerren masa disiplinore ndaj Salianjit, duke përfshirë edhe përjashtimin Berisha dha këtë përgjigje: “Jo jo, nuk kam thënë që s'ka vetëpërjashtime”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos