Parlamenti shkarkon ministrat, opozita bllokon foltoren, socialistët plotësojnë vullnetin e Ramës

Nga Ervin Koçi
5 Mars 2026, 15:35 | Politikë

Maxhoranca socialiste miratoi me kartonë jeshil ndryshimet në kabinetin qeveritar, ndërsa seanca plenare u zhvillua mes dy realiteteve paralele: votimit të shumicës dhe protestës së opozitës. Me kërkesë të Taulant Ballës, dekretet e Presidentit Bajram Begaj u futën menjëherë në rendin e ditës, duke hapur rrugë shkarkimit dhe emërimit të ministrave të rinj, të cilët pritet të betohen të premten në Presidencë.

Socialistët ngritën kartonët jeshil duke miratuar ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Me kërkesë të Taulant Ballës dekretet e Bajram Begajt u futën menjëherë në rendin e ditës të seancës plenare, duke krijuar në sallë një realitet të dyfishtë, maxhoranca duke votuar dhe opozita duke protestuar.

“Ministrat që ikin kanë bërë një punë të mirë, i urojmë suksese të rinjve”, tha Balla.

Votimi nisi me Belinda Ballukun e cila u shkarkua tashmë edhe de jure nga dy funksionet e saj në parlament me 85 vota pro.

Shkarkimi i dytë ishte i Elisa Spiropalit, e vetmja që tregoi edhe merakun që i kishte mbetur.

“Më vjen keq që i doli fjala Sali Berishës”, deklaroi Spiropali.

“Elisa ti je viktima më e pavlerë e Lubisë” iu përgjigj Berisha.

“Shkakton një lloj emocioni të kthehesh të bësh replika në kuvend me Sali Berishën, por të gjithë e kanë nga vetja! Asnjë nuk e ka nga të tjerët! Unë nga vetja! Ti nga vetja! Të gjithë nga vetja! Për veten mbajmë përgjegjësi”, iu përgjigj Spiropali.

Procesi i votimi vijoi me shkarkimin e Pirro Vëngut dhe me rotacionet në kabinetin qeveritar ku Albana Koçiu mori postin e zëvendëskryeministres, Ferit Hoxha Ministër i Jashtëm, Beftort Lamallari Ministër i Brendshëm, Ermal Nufi Ministër i Mbrojtjes, Toni Gogou Ministër i Drejtësisë, Enea Karakaçi Ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë dhe Erjona Ismaili Ministre Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin.

Zyrtarisht ministrat e rinj e marrin detyrën të premten ku Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka parashikuar ceremoninë e betimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos