E ftuar në A2 Puls nga Bruna Çifligu, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, foli për situatën politike në vend, duke analizuar protestat e opozitës dhe të ardhmen e Partisë Demokratike.
Sipas saj, objektivi i përbashkët i opozitës është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore, por forcat opozitare nuk janë të bashkuara.
Açka theksoi se shoqëria shqiptare po përjeton një “fazë depresive” pas humbjeve të pritshme politike dhe mungesës së perspektivës për drejtimin e vendit. Ajo kritikoi elitën politike për heshtjen ndaj abuzimeve dhe korrupsionit, duke nënvizuar se zëvendëskryeministrja duhet të japë dorëheqjen, për të çliruar sistemin dhe për të ruajtur standarde europiane në politikë.
Ish-deputetja u ndal edhe te roli i Partisë Demokratike, duke vënë në dukje se mungesa e reflektimit dhe pastrimit të brendshëm ka krijuar një vakum që e ka dobësuar opozitën. Ajo kritikoi mënyrën se si PD-ja ka trajtuar partitë e reja dhe si figura të tilla si Adriatik Lapaj janë përballur me pengesa në protestat e tyre, shkruan A2 CNN.
“Protestat nuk janë vetëm për individë, por për qytetarët, për të ndëshkuar korrupsionin dhe për të krijuar një opozitë fituese,” tha Açka. Ajo shtoi se vetëm duke filluar nga vetja dhe duke reformuar PD-në mund të ketë një shans real për ndryshim politik.
Açka theksoi se 2026-ta do të jetë një vit vendimtar për demokracinë shqiptare, me presion të brendshëm dhe ndërkombëtar mbi qeverinë, dhe se opozita duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për t’u bashkuar dhe për të garantuar një proces politik të drejtë dhe transparent. (A2 Televizion)